×
  • Lajme
  • Analiza

    Kuçi nën hetime për tenderin 5 milionësh – çka thotë Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit?

    Insajderi
    30 October 2020 - 11:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, ka thënë se do ta shqyrtojë pozitën e tij në Qeverinë Hoti nëse vërtetohet gjendja e tij në konflikt interesi, për një tender në vlerë 5 milionë euro që kompania e tij e fitoi nga Shërbimi Spitalor i Kosovës.

    Kuçi ka pohuar se mund të japë dorëheqje nga pozita ministrore në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsion vërteton se ai gjendet në konflikt interesi.

    “Në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsion e vërteton se ekziston konflikti i interesit, unë e shqyrtoj pozitën time si ministër”, ka deklaruar ministri Kuçi.

    Ai thotë se tashmë është e sqaruar që nuk ka konflikt interesi.

    “Në vitin 2010 kam komunikuar me Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe kam kërkuar sqarim se çfarë mund të konsiderohet konflikt interesi. Si përfundim ka ardhur se në bazë të ligjeve zyrtari i lartë mund të jetë pronar i ndonjë ndërmarrje, por nuk mund ta ushtrojë në mënyrë aktive të drejtën e administrimit sa është në pozitë zyrtare”.

    “Në aspektin ligjor unë kam kërkuar interpretim dhe këtu nuk ka konflikt interesi”, tha Kuçi, shkruan Gazeta Insajderi.  

    Megjithatë në krejt këtë proces kontestohet një çështje tjetër, që Kuçi si zyrtar i lartë ia ka lënë menaxhimin e kompanisë, vajzës së tij, Blertës.

    Neni 1.9 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit thotë se një zyrtar i lartë nuk mund t’ia lë menaxhimin e kompanisë bashkëshorti/ja ose fëmijët.

    “Person i besuar – personi fizik ose juridik që ushtron në mënyrë të pavarur të drejtat e administrimit te ndërmarrjes apo të drejta të tjera të përcaktuara me marrëveshje për aksionet ose pjesët në kapital të zotëruara në mënyrë pasive nga zyrtari i lartë. Personi i besuar nuk mund të jetë bashkëshorti, fëmijët, një zyrtar apo person tjetër me lidhje varësie, qoftë edhe të tërthortë, për shkak të funksionit publik me zyrtarin në fjalë dhe një ndërmarrje ose organizatë jofitimprurëse ku zyrtari zotëron pjesë në kapital ose aksione apo ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloji”.

    Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, ka deklaruar se AKK-ja është duke e trajtuar rastin e ekzistimit të mundshëm të konfliktit të interesit për tenderin e vlefshëm rreth 5 milionë euro, të cilin e fitoi nga SHSKUK-ja kompania NPN “Hidroterm”, në pronësi të ministrit Kuçi.

    “Jemi duke e trajtuar rastin e konfliktit të mundshëm të interesit. Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur trajtimin për çështjen konflikt të mundshëm të interesit. AKK-ja i merr për bazë të gjitha informacionet e tjera duke filluar nga deklarimi i pasurisë së zyrtarit [Blerim Kuçit, v.j], rregulloret e brendshme të qeverisë etj”, ka thënë Havolli, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas drejtorit të AKK-së, agjencia është duke kërkuar për elemente të dyshimit për konflikt të mundshëm të interesit “dhe jemi duke mbledhur raportet e OSHP-së, raportet e mediave dhe raportet e tjera që na nevojiten”.

    “Hidroterm” Sh.P.K., kompania e Blerim Kuçit, ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë Hoti, është shpërblyer me një kontratë publike në vlerë prej rreth pesë milionë eurosh, më 6 tetor.

    Kompania aksionet e së cilës i posedon ministri Blerim Kuçi, ka fituar tenderin publik të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) për “ndërtimin e objektit spitalor për nënën dhe fëmijën në Prizren”. Vlera e kontratës kap shifrën e 4 milionë e 900 mijë eurove.

    Krejt ky proces ndodhi pavarësisht vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili më me 15 qershor, e shpalli të papërgjegjshme ofertën e kompanisë së ministrit.

    Siç ka raportuar Insajderi, OSHP që njihet edhe si Gjykata e Tenderëve konstatoi se NPN “Hidroterm” Sh.P.K nuk e ka plotësuar vlerën e qarkullimit në Administratën Tatimore të Kosovës për tri vitet e fundit, siç ishte kërkuar në Dosjen e Tenderit.

    Disa ditë pasi tenderi ishte rikthyer në rivlerësim, ShSKUK sërish e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë e Kuçit./GazetaInsajderi

    Më shumë rreth hulumtimit për tenderin 5 milionësh:

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark