Kufiri që po i mban të izoluar kosovarët - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kufiri që po i mban të izoluar kosovarët

    Insajderi
    05 July 2016 - 21:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mos ratifikimi i vijës kufitare me Malin e Zi, kosovarët po i mban të izoluar. BE-ja nëpërmjet, Tanja Fajon, raportuese e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave në Kosovë, ka thënë se ka vendosur që të shtyjë rekomandimin e saj për vënie në votim të heqjes së vizave për Kosovën.

    Ajo ka thënë se votimi për regjimin pa viza për Kosovën është shtyrë nga 12 korriku deri më 5 shtator.

    “Kam vendosur që të shtyj votimin për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën për në shtator, duke parë se nuk ka progres të vërejtshëm në përmbushjen e kritereve të fundit, në veçanti me ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

    “Shpresoj që Parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë këtë marrëveshje sa më shpejtë, dhe para fundit të verës, në mënyrë që unë të procedojë më tutje deri në votim në vjeshtë”, ka thënë Fajon.

    Por përderisa Fajon po pret që Kosova ta ratifikoj këtë marrëveshje, pozita dhe opozita kanë dalë me qëndrime të njëjta për këtë çështje, duke mos lëvizur nga pozicionet e tyre.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, të cilën ai e ka quajtur të “korruptuar”, për shtyrjen e votimit për liberalizimin e vizave.

    “Lajmi i keq është Qeveria e korruptuar e Kosovës. Qeveri e cila pa asnjë kuptim ka bërë një marrëveshje që humb mbi 8 mijë hektarë të territorit dhe pastaj edhe më pakuptueshëm e ka zvarritur për gati një vit rishikimin e demarkacionit”, ka shkruar Haradinaj në faqen e tij zyrtare në Facebook.

    “Prandaj, edhe vonesat eventuale të liberalizimit janë pasojë direkte e padijes së kësaj Qeverie dhe një kryeministri inatçor. Pse e ka humbur gati një vit kjo Qeveri, nuk ka asnjë lloj kuptimi. Demarkacioni duhet të rishikohet, prandaj humbja e kohës është faturë krejt e panevojshme që po e paguajnë qytetarët për këtë qeveri pa lidership”, vlerëson Haradinaj në shkrimin e tij.

    Ndërsa ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë se vendimi për shtyrje të votimit për heqjen e vizave për Kosovën ka qenë i pritshëm për shkak të mosvotimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

    “Ky është një lajm jo i mirë, pasi është pritur që së paku në dy komisione të votohet për liberalizimin e vizave edhe pse ka qenë e paraparë që kjo të votohet në shtator.”

    “Deklaratat e Tanjo Fajon duhet të merren si një alarm i fundit që marrëveshja kufitare me Malin e Zi duhet të kryhet patjetër nëse qytetarët Kosovës dëshirojnë të lëvizin pa viza. Ky është një kriter eksplicit i qartë”, deklaroi ai në Info Magazine të Klan Kosovës.

    Ajo çka dihet deri më tani është se BE-ja e ka seriozisht kushtin e ratifikimit të demarkacionit për të marrë vendim nëse kosovarët mund të përfitojnë nga lëvizja e lirë, por në të njëjtën kohë, insistimi i pozitës dhe opozitës në qëndrimet diametralisht të kundërta duket se do të vazhdojë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark