Kukuvajkat* - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kukuvajkat*

    Insajderi
    01 December 2022 - 18:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tre plumba të shkrepur nga arma e zjarrit të ish-bashkëshortit, ia morën mbrëmë jetën një 35 vjeçareje në Prishtinë. Bashkë me të, pa e nisur ende, jetën e humbi edhe foshnja e saj e palindur. Numrat në të tilla tragjedi nuk do të duhej të vlenin. Por, janë të pashmangshme kur numri tregon një viktimë më shumë që humb jetën nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore. Kur shteti dhe drejtuesit e tij nuk duan assesi të marrin përgjegjësi. Kur përgjegjësinë e bartin krejt tek shoqëria.

    Autor: Rexhep Kameraj

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që para dy vitesh kur po kërkonte nga qytetarët pushtetin për vete dhe partnerin e saj politik, Albin Kurtin, zotohej me “be e rr’fe” se vendit do t’ia kthenin shpresën. Të mërkurën, natën vonë, për një moment shpresën e humbi edhe vetë ajo. Kjo sepse, i “mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi”.

    “Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!”, tha vetë Presidentja në reagimin e saj për një tjetër vrasje të dyfishtë – të një gruaje, bashkë me foshnjën e saj në bark – që u krye derisa ishin nën përkujdesjen e institucioneve të shtetit, që nuk morën mbrojtjen e duhur e të kërkuar, dhe lejuan që tre plumba të shkrepen mbi trupat e tyre.

    “Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë”, e vuri tutje në sprovë shumë më shumë shoqërinë, sesa shtetin, gruaja që vetë është shefe e shtetit.

    “S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë”.

    Por justifikimet ishin ‘alfa dhe omega’ e Kryeministrit Albin Kurti. Jo justifikimet e emrave të përveçëm, por justifikimi i pushtetit të tij dhe përgjegjësive që mbajnë ata për dështimet e institucioneve të shtetit.

    Përgjegjësinë kryesore ai e kaloi tek shoqëria se, sipas tij “zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt”.

    “Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme”.

    Vrasja makebër që tronditi një natë më parë gjithë Kosovën, nuk u la pa u shfrytëzuar nga shefi i ekzekutivit për populizëm e mesazhe nacional-politike. Për shumë kë edhe me retorikë fashiste. Dikush e quajti edhe moralizues, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”. Ta mendosh, se e gjithë kjo u tha vetëm pak orë pasi arma e zjarrit të një burri shkrepi tre plumba në trupin e një gruaje shtatzënë, të pa mbrojtur edhe pse nën përkujdesje të institucioneve shtetërore.

    Sikur të mos mjaftonte, për shumë kë, Kryeministri i dha reagimit të tij edhe pak nuancë patriarkalizmi, për të mos thënë edhe primitivizëm, se si burrit i takon ‘ekskluziviteti’ që ta mbrojë gruan e tij.

    “Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte”, shkroi Kurti, Kryeministri që që gati 2 vite është në krye të pushtetit qeverisës në vend, me forcë politike mbi 50%, si kurrkush asnjë herë më parë në Kosovë.

    Një rend vaji në Facebook ia dha edhe Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. “Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë”, tha shefja e Drejtësisë në Kosovë, që vetëm pak ditë më parë bashkë me shefin e saj të ekzekutivit, me një vendim një faqesh në letër A4, ua përgjysmuan pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve kosovarë.

    Këta të fundit i akuzoi se nuk ishin në krye të detyrës për ta parandaluar vrasjen e djeshme.

    “Është një papërgjegjësi institucionale dhe e prokurorit të rastit sepse në vazhdimësi po bëjmë thirrje për mbrojtje të grave dhe vajzave”.

    “Në momenti që do të verifikohet që vërtetohet personi do të jap dorëheqje, kompetencat janë të ndara, nëse shohim që ka dështuar do të ketë dorëheqje do të ketë shkarkim”, paralajmëroi Ministrja Haxhiu, pas një takimi ndërministror që u thirr me urgjencë mëngjesin e së enjtes.

    “I kem disa informata që s’mundem t’i bëj publike”, deklaroi Ministrja e Drejtësisë, dorëheqja e së cilës, shkaku i këtij rasti, po kërkohet nga shoqëria civile e opozita, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    35 vjeçarja që të mërkurën mbrëmë u vra në oborrin e QKUK-së, dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj që u arratis nga vendi i ngjarjes pasi kreu krimin.

    Viktima pak muaj më parë kishte denoncuar te autoritetet e sigurisë, dhunën psikike dhe fizike që po përjetonte nga i dyshuari. Ky i fundit ishte lënë i lirë, në procedurë të rregullt. Ndërkohë që me drejtësinë, i njëjti, pati telashe edhe për një rast të armëmbajtjes pa leje.

    Gruaja shtatzënë, nga Lipjani, që u vra mbrëmë, në QKUK ndodhej e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë, në pritje të lindte foshnjën që vdiq bashkë me të, brenda barkut të saj, shkaku i tre plumbave me të cilët u qëllua 35 vjeçarja.

    “Hamidja nuk është vrarë sepse është shqiptare. Ajo u vra sepse është gru!”, ishte mesazhi që një OJQ – që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës – i dha si kundërpërgjigje Kryeministrit Kurti.

    *Kukuvajkë

    Sipas fjalorit të gjuhës shqipe: kukuvájk/ë,-a emër i gjinisë femërore; numri shumës; –a(t)
    1. term në zoologji; zog grabitqar, me kokë të gjerë e me sqep të kthyer, që këndon natën me një zë vajtues.
    2. kuptim i figurshëm; me ngjyrim mospërfillës; njeri që gjithnjë vajton ose ankohet. * i ka kënduar kukuvajka (dikujt) i kanë ardhur fatkeqësitë njëra pas tjetrës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark