Kundër Korrupsioni: Marrëveshja Qeveri-“Elkos Group” nuk përbën shkelje ligjore - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kundër Korrupsioni: Marrëveshja Qeveri-“Elkos Group” nuk përbën shkelje ligjore

    Insajderi
    13 June 2016 - 12:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Agjencia Kundër Korrupsion ka njoftuar se ka hetuar deputetin Ramiz Kelmendi.  Ka konkluduar se marrëveshja e lidhur mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Elkos Group”, është e ligjshme. Ka ardhur deri tek ky konstatim pasi që marrëveshja nuk është nënshkruar nga Kelmendi, por nga Fatos Islami, zv/president i kompanisë. Nëse Kelmendi do të nënshkruante, sipas Kundër Korrupsionit, do të vepronte në kundërshtim me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

    “Pasi janë analizuar me kujdes provat dhe materialet që kemi pasur në dispozicion (Marrëveshja e bashkëpunimit për ofrimin e praktikës profesionale në ndërmarrje për nxënësit e shkollave profesionale në gjithë vendin me kompaninë “Elkos Group”) është vërtetuar se kjo marrëveshje është nënshkruar nga Ministri i Arsimit z.Arsim Bajrami dhe zëvëndës presidenti i kompanisë Fatos Islami”, thuhet në vendimin e kësaj agjencie të marrë më 6 qershor të këtij viti. Tutje në këtë vendim thuhet se Ramiz Kelmendi nuk ka pasur rol vendimmarrës mbi ministrin Arsim Bajrami për ta detyruar atë që të nënshkruante marrëveshje me kompaninë “Elkos Group”.

    “Pronësia  në një biznes nga zyrtari i lartë nuk është e ndaluar dhe nuk paraqet mos pajtueshmëri ose kufizim në ushtrim të funksionit publik”, thuhet në vendim.

    Në fakt, Kelmendi në mars të këtij viti kishte paralajmëruar se kompania e tij do të nënshkruante marrëveshje bashkë me ministrin Arsim Bajrami. Në njoftimin  dërguar medieve thuhej se marrëveshja do të nënshkruhej nga ministri Bajrami dhe Ramiz Kelmendi. Deputeti Kelmendi ishte tërhequr nga nënshkrimi i marrëveshjes kur Insajderi kishte raportuar për këtë çështje, më  18 mars të këtij viti. “Këtë pyetje ia kam shtruar edhe vetes mbrëmë. Kam ardhur në përfundim se nuk kam të drejtë të nënshkruajë. Do të nënshkruajë dikush tjetër, ndoshta drejtori apo zv/drejtori”, kishte pohuar Kelmendi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark