Kundër Korrupsioni mbyll rastin kundër vëllait të Sami Lushtakut - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kundër Korrupsioni mbyll rastin kundër vëllait të Sami Lushtakut

    Insajderi
    02 March 2017 - 12:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ukshin Lushtaku, vëllai i Sami Lushtakut, është hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsion në dyshimin për konflikt interesi. Ai mbante në të njëjtën kohë edhe postin e këshilltarit komunal të PDK-së, në Skenderaj si dhe pozitë menaxhuese në biznesin e tij privat “Security Code”.

    Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit nuk lejon që zyrtarët e lartë publik të mbajnë poste menaxheriale në biznese private.

    Ukshin Lushtaku, pas paralajmërimeve nga Agjencia Kundër Korrupsion, ka vendosur që të tërhiqet nga posti menaxherial në biznesin e tij privat, kompaninë “Security Code”.

    Pas këtij vendimi të Lushtakut, Agjencia ka vlerësuar se është shmangur konflikti i interesit dhe ka mbyllur rastin.

    “Rasti mund të rihapet në çdo kohë kur mund të paraqiten rrethana të reja”, thuhet në vendimin AKK-së, i marrë më 21 shkurt të vitit 2017.

    Bazuar në këtë vendim, Lushtaku përveç postit menaxheria në “Security Code”, kishte qenë person i autorizuar edhe në një kompani tjetër të tij, e quajtur D.P.H Mega.

    Lidhur me këtë kompani, Lushtaku e kishte njoftuar Agjencinë se kishte vendosur që ta mbyllte.

    “z. Lushtaku është bindur për kufizimin e ushtrimit të funksioneve menaxheriale në bizneset e tij private dhe menjëherë ka filluar procedurën e largimit nga ky funksion në biznesin privat “Security Code”, ndërsa për biznesin privat “Mega”, ka filluar procedurën e mbylljes”, thuhet në vendim.

    Gjatë hetimeve të zhvilluar kundër tij, Lushtaku e kishte sjellë dëshminë nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve për tërheqjen nga pozita menaxheriale në “Security Code”, por nuk kishte sjellë dëshmi për mbylljen e biznesit “Mega”.

    “Agjencia i ka bërë shkresën e dytë që quhet “Paralajmërim”, në të cilën e njofton për situatën, për masat që mund të pasojnë, nëse gjendja nuk ndryshon dhe njëkohësisht i jep afat të ri, por, të kufizuar ligjor, për ta ndryshuar këtë gjendje. Lushtaku brenda afatit ligjor ka sjellë dëshminë për mbylljen e biznesit MEGA. Me këtë ka shmangur konfliktin e interesit”, theksohet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion.

    Derisa biznesi “Mega”, për të cilin Lushtaku ka vendosur të mbyllet nuk ka qenë e njohur për publikun, biznesi “Security Code”, ka përfituar një numër të madh tenderësh publik.

    Për përfitimin e tenderëve nga “Security Code”, dyshohet se ka intervenuar Sami Lushtaku, kryetar i Skënderajit. Një proces gjyqësor është duke u zhvilluar për intervenimet e mundshme të Lushtakut në favor të kësaj kompanie private.

    Sami Lushtaku akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Lushtaku, bazuar në aktakuzë, kishte kërcënuar Arben Gjukajn, drejtorin e KEK-ut në mënyrë që të vendosej në favor të kompanisë “Security Code”, në tenderin në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh të kësaj ndërmarrjeje. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark