Derisa nesër pritet që të zhvendosen eshtrat e ish-komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, nga varrezat e fshatit Orllan në Kompleksin Memorial të Truqicës në Podujevë, familja e Pajazitit kishte kundërshtuar transferimin e eshtrave të tij në vitin 2016.
Vendimi për ndërrimin e lokacionit të eshtrave të ish-komandantit të UÇK-së në zonën e Llapit e ka marrë Qeveria e Kosovës, e cila në njoftimin e saj për këtë lëvizje të eshtrave të Zahir Pajazitit nuk ka bërë të ditur nëse ky veprim është bërë në koordinim me familjen e Pajazitit.
Vitin e kaluar familja Pajaziti kishte kundërshtuar fuqishëm ndërrimin e lokacionit të eshtrave të Zahir Pajazitit.
Vetë vëllai i Zahirit, Ejup Pajaziti, kishte thënë se familja dëshiron që varri të gjendet në këtë kompleks për shkak se ata ngushëllohen nga numri i madh i vizitorëve. Madje, familja Pajaziti ka shprehur dëshirën që të gjithë dëshmorët e Llapit të varrosen në këtë kompleks.
Një vit pas këmbënguljes së fuqishme të familjes Qeveria e Kosovës ka organizuar ceremoninë për rivarrimin e Zahir Pajazitit.
Insajderi ka provuar të kontaktojë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nëse për një gjë të tillë është marrë pëlqimi nga familja Pajaziti, por që askush nuk është përgjigjur. /Insajderi.com