Jo vetëm shteti i Kosovës do të merret me organizimin e lojërave të fatit, bazuar në Projektligjin për Lotarinë.
Projektligji, i cili nga mesi i muajit gusht deri më 1 shtator u gjend në konsultim publik, parasheh se Lotaria e Kosovës do të ketë statusin e një shoqërie aksionare në pronësi të shtetit.
Por, neni 9, paragrafi i dytë i këtij projektligji parasheh organizimin e lojërave ndërkombëtare të fatit në bashkëpunim me subjekte të huaja.
Sipas kësaj dispozite ligjore të përcaktuar në Projektligjin e punuar nga Qeveria Hoti, disa procese të lojërave të fatit do të zhvillohen bazuar në rregullat e “shtetit në të cilin bëhet tërheqja [e fituesve, v.j]”.
“Në lojërat ndërkombëtare që organizohen në bashkëpunim me Lotaritë e shteteve tjera dhe/apo me organizatat e specializuara, ku tërheqja e numrave ose simboleve bëhet jashtë Republikës së Kosovës, procesi i tërheqjes zhvillohet në pajtim me rregullat e shtetit në të cilin bëhet tërheqja”, nënvizohet në nenin 9, paragrafi 2, i Projektligjit për Lotarinë e Kosovës.
Neni 9 i Projektligjit për Lotarinë ka nxitur dyshime edhe tek Shoqata e Lojërave të Fatit. Kryetari i kësaj shoqate, Istref Veliu, shpreh bindjen se Projektligji është i porositur.
Ai thotë se neni 9 i Projektligjit mund të jetë porositur nga njerëz të fuqishëm të politikës, të cilët, sipas tij, mund të përdorin firma të huaja për të përfituar nga lojërat e fatit në Kosovë.
“Është i porositur 100 për qind pasi në një nen i lihet mundësi bashkëpunimi me firma ndërkombëtare. Këtu me siguri bëhet fjalë që dikush i ka lidhjet jashtë shtetit dhe pret që në momentin kur projektligji kalon, të ketë bashkëpunim me Lotarinë e Kosovës”, ka deklaruar Veliu, në një bisedë për Insajderin të premten.
Veliu e ka krahasuar Lotarinë e Kosovës, që parashihet të formohet sipas këtij projektligji, me Telekomin e Kosovës, një tjetër ndërmarrje, aksionet e së cilës i zotëron Qeveria e Kosovës.
Sipas tij, politikanët që dyshohet se qëndrojnë mbrapa projektligjit, e kanë synim zhvatjen e Lotarisë së Kosovës.
“Me siguri dikush prej politikës qëndron mbrapa dhe e kanë parë që në lojëra të fatit kinse paska shumë lekë, e tash duhet me përfitu. Unë mendoj që bëhet fjalë për një telekom të ri në sektorin publik, të cilin duan me manipulu e menaxhu dhe prapë se prapë në fund të ditës ta shkatërrojnë atë”, ka deklaruar Veliu.
Udhëheqësi i Shoqatës së Lojërave të Fatit ka thënë se organizata të cilën ai drejton, nuk e përkrah një projektligj i cili krijon monopol në aktivitetet e lojërave të fatit.
“[Projektligji, v.j] është bërë që t’i përshtatet dikujt pasi është monopol, i cili i shkel ligjet e shtetit tonë, si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të përpilojë një projektligj tjetër për organizimin e lojërave të fatit.
“Sepse sot lojërat e fatit gjenden në duar të kriminelëve. Qeveria i ka hequr lojërat e fatit nga njerëzit serioz të cilët kanë paguar tatime, ndërkaq sot lojërat e fatit zhvillohen nga kriminelë. Nga njerëz të cilët nuk kanë problem të përballen me ligjin”, ka thënë Veliu.
Të gjitha aktivitetet e lojërave të fatit, siç ka raportuar Insajderi në shtator të këtij viti, do të organizohen dhe mbikëqyren nga Lotaria e Kosovës sh.a.
Ky institucion do t’i japë llogari Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës. Praktikisht, shteti do të ketë monopol mbi lojërat e fatit, raporton Gazeta Insajderi.
Qeveria do të jetë aksionari i vetëm i shoqërisë aksionare Lotaria e Kosovës si dhe qeverisë nuk i lejohet t’ia delegojë asnjë institucioni tjetër organizimin e lojërave të fatit, thuhet në Projektligjin për Lotarinë.
“Lotaria është institucion i vetëm në Republikën e Kosovës e cila ka autorizim për organizimin e lojërave e fatit në Republikën e Kosovës”, theksohet në Nenin 17 të Projektligjit.
Draft-ligji, i cili pritet të plotësohet me rekomandimet e komisioneve e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i jep kompetenca Bordit të Lotarisë për përcaktimin e kapitalit themelor të Lotarisë.
Derisa Projektligji ndodhej në Platformën për Konsultim Publik të qeverisë, shoqëria civile rekomandoi plotësimin e draft-ligjit me dispozita të cilat përcaktojnë se një shumë e konsiderueshme e të ardhurave të Lotarisë të dedikohen për përkrahjen e nismave të interesit publik, në draft-ligj nuk përshkruhet se ku do të sistemohen të ardhurat e saj.
Aty nënvizohet se “ndarja e fitimeve dhe sistemimi i të ardhurave” do të jetë përgjegjësi e Bordit të Lotarisë, i cili do të përbëhet nga pesë anëtarë. Anëtarët e bordit do të kenë mandat të gjatë prej katër vjetësh.
Lojërat e fatit në Kosovë u ndaluan me ligj nga Kuvendi i Kosovës një vit më parë. Shfuqizimi i ligjit që rregullonte veprimtarinë e lojërave të fatit u propozua nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si pasojë e vdekjes së dy qytetarëve në lokalet e kazinove në vend. /Insajderi.org