Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka reaguar lidhur me vizitën në Kroaci të presidentit serb Tomislav Nikoliq.
Arsyeja e reagimit të Vulinit për këtë vizitë ka ardhur pasi që mediet kanë raportuar se Kroacia e ka kushtëzuar vizitën e Nikoliqit, me gatishmërinë që ky të ndërmarrë hapa pozitivë për zgjidhjen e ndonjërës prej çështjeve të hapura mes dy vendeve.
Vulini insiston kjo vizitë nuk duhet të ndodhë nëse Kroacia tenton ta kushtëzojë Serbinë për ndonjë çështje, shkruan gazeta serbe Blic.
“Nëse Kroacia dëshiron të kushtëzojë dikë për ndonjë çështje, atëherë edhe Serbia do të duhej të kërkonte që të zgjidhet çështja e 150 mijë serbëve të dëbuar nga Kroacia”, ka thënë Vulin, raporton Insajderi
Ai më tutje është shprehur se një politikë me kushtëzime nuk do të jepte rezultat derisa ka nënvizuar se duhet të punohet per raporte sa më të mira fqinjësore, për shkak që kjo do të ishte në interes dhe në të mirë të stabilitetit në rajon./Insajderi.com