
Të premten, Ministra e Shëndetësisë përkatësisht Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, njoftoi se një rast i dyshimtë me Lijë të Majmunit (Monkeypox) është duke u trajtuar në QKUK.
Bëhet fjalë për një 69 vjeçar nga Komuna e Dragashit, e ku u tha se mostra e dyshuar pritet të dërgohet për në Holandë.
Për të kuptuar se kur do të dërgohet mostra jashtë vendit, Gazeta Insajderi ka kontaktuar Xhevat Jakupin, shef i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKShPK.
Jakupi konfirmoi për Gazetën Insajderi se mostra nesër do të niset për në Holandë.
“Është organizuar transporti i mostrave nga pacienti i dyshimtë me infeksion me MNKPOX për të martën me 07.06.2022, me ndihmën e zyrës së OBSH-së në Prishtinë”, tha Jakupi.
I pyetur se kur potencialisht do të mund të pranojnë rezultatin, Jakupi u shpreh se “Nuk ka informatë ende se kur pranohen rezultatet por pritet të jetë për 24-48 orë nga momenti i pranimit në laborator i mostrave të dërguara“.
Detaje për gjendje shëndetësore të të dyshuarit me Lijën e Majmunit për Gazetën Insajderi, ka dhënë edhe Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK.
“Gjendja e pacientit është dukshëm më e mirë. I njëjti ka pasur ndryshime në lëkurë, në shuplaka të duarve si dhe në qafë. Ai po vazhdon të qëndrojë i izoluar edhe me familjarët po kontakton rregullisht vetëm përmes telefonit”, tha Vishaj për Gazetën Insajderi.
I pyetur nëse ka dyshimet për ndonjë rast të ri, Vishaj u shpreh se gjithçka është nën kontroll dhe se nuk ka dyshimet për ndonjë rast të ri.
Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, me datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë në Lijën e majmunëve (Monkeypox).
Siç bëhet me dije nga komunikata, pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit.
“I njëjti është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK me datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile”, thuhej në njoftimin e së premtes.
Ndërkohë, u potencua se po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.
“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Hollandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, njoftoi qytetarët e Kosovës, se për çdo informatë të re, opinioni publik do të informohet në kohë reale, dhe se situata tani për tani është e qetë dhe stabile.
/GazetaInsajderi