Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen me 9 shkurt 2025, ka njoftuar Presidentja Vjosa Osmani.
Me anë të dekretit, e para e shtetit e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina, ka deklaruar se kjo datë është caktuar pasi Presidentja shqyrtoi me kujdes rrethanat dhe çështjet që duhen marrë parasysh.
“Ashtu siç e parasheh ligji, Presidentja ka mbajtur konsultime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe ka marrë propozime të ndryshme, që variojnë nga 26 janari e 2 shkurti deri te 9 e 16 shkurti 2025. Lidhur me datën e zgjedhjeve, Presidentja ka pasur diskutime edhe me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka paraqitur disa aspekte teknike dhe logjistike, të cilat sipas KQZ-së, do të duhej të shqyrtoheshin para nënshkrimit të këtij dekreti” ka thënë Kupina në sqarimin e tij.
Sa i përket fushatës zgjedhore, Kupina thotë se është vlerësuar që e njëjta mund të fillojë nga 7 janari, pas përfundimit të disa festave kalendarike.