×
  • Lajme
  • Analiza

    Kur do të jetë “momenti historik” i pranimit të Kosovës në Bashkimin Europian?

    Insajderi
    14 December 2022 - 12:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Krerët shtetërorë të Kosovës kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Proces ky i cili mund të zgjasë me vite.

    Gazeta Insajderi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi si “historike” nënshkrimin e aplikimit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

    “Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme”.

    Vjosa Osmani gjatë nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian | Foto: Albin Kurti

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor anëtarësimi në BE është i rëndësishëm, sepse, sipas tij, blloku ofron stabilitet, siguri, demokraci dhe prosperitet zhvillimor.

     “Marrja e statusit të vendit kandidat ka peshë të konsiderueshme dhe me të drejtë konsiderohet si vula e parë e perspektivës evropiane. Për këtë arsye, e ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, por edhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim”.

    Glauk Konjufca gjatë nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian | Foto: Albin Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti Kurti tha se ky “moment historik” synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin e Kosovës dhe shoqërinë kosovare.

    “Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim, do të varet nga ne, andaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimi i secilit, i domosdoshëm”.

    Albin Kurti gjatë nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian | Foto: Albin Kurti

    Por, kur mund të ndodh anëtarësimi i plotë i Kosovës në bllokun europian?

    Dorëzimi i aplikimit të nënshkuar nga tre krerët e shtetit të Kosovës pritet të bëhet më 15 dhjetor në Pragë të Çekisë, shtetit që aktualisht kryeson presidencën e BE-së.

    Tash duhet të kalohen tre hapa të rëndësishëm, si: Statusi i kandidatit, Negociatat e anëtarësimit dhe Ratifikimi i traktatit, hapa këta që mund të marrin vite deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në bllokun europian.

    Statusi i kandidatit nënkupton pranimin formal të aplikimit të një vendi. Nga koha e aplikimit deri tek pranimi i Statusit të kandidatit mund të kalojnë disa vite kohë. Në rastin e Shqipërisë janë dashur pesë vite kohë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më pas Negociatat e anëtarësimit nisin vetëm pasi vendi kandidat t’i përmbush mjaftueshëm kriteret politike. Ato fokusohen në përshtatjen e ligjeve të vendit kandidat në këtë rast të Kosovës me ligjet e Bashkimit Europian. Negociatat e anëtarësimit përfshijnë 35 kapituj, dhe janë faza më e gjatë e procesit. Mali i Zi këto negociata i ka nisur që dhjetë vjet, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pasi 35 kapitujt të mbyllen unanimisht Bashkimi Europian dhe vendi kandidat e nënshkruajnë Traktatin e pranimit. Kjo pastaj ratifikohet nga vendi kandidat dhe secili vend i bllokut europian, për t’i lënë më pas hapësirë caktimit të datës së anëtarësimit të vendit, i cili bëhet anëtar me të drejta të barabarta, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

    Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës si: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

    Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.

    Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina këtë javë ka marrë statusin e vendit kandidat./Gazeta Insajderi/

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark