Gjykata Themelore e Ferizajt ka vazhduar me seancën gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurve, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu. Në këtë seancë kanë dëshmuar dy specialistë të mjekësisë në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit
Specialisti i mjekësisë emergjente, Burim Maloku tha se e ndjera ishte sjellë nga dy djem para spitalit pa shenja jete.
Maloku tregoi se kur i kishte drejtuar dritën në sy të ndjerës ka vërejtur se bebëzat e syrit i ka pas shumë të zmadhuara, duke konstatuar se nuk ka qenë e nevojshme të vazhdohet me reanimacionit.
“Kur i kam drejtuar dritën në sy të ndjerës kam vërejtur se bebëzat e syrit i ka pas shumë të zmadhuara, dhe kam konstatuar se nuk ka qenë e nevojshme të vazhdohet më tej me procedurën e reanimacionit”, ka thënë Maloku
Tutje, mjeku tregon se për herë të fundit Krivaqën dhe Sejdiun i kishte parë duke ikur nga emergjenca dhe menjëherë kishte thirrur Policinë e Kosovës.
“Ekipi jemi mbledhur me të gjitha aparaturat e nevojshme, por ka qenë pa shenja jete. Kam dal për t’i pyetur personat që kanë sjell pacientin, por ata i kam parë duke ecur nga Emergjenca. E kemi thirrur menjëherë Policinë e Kosovës. Nuk më kujtohet nëse ka pasur flokët e lagura apo fytyrën”, ka thënë Maloku, raporton Betimi për Drejtësi.
I pyetur nga mbrojtësi i palës së dëmtuar avokati Gazmend Rexhepi, se në çfarë gjendje kishte qenë viktima, a kishte qenë e lagur në fytyrë dhe flokët, dëshmitari Maloku u përgjigj se detajet nuk i kujtohen./Insajderi.org