Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një konferencë në rezidencën e tij në Mar-a Lago, ku foli për temat më të nxehta të aktualitetit amerikan
Për herë të parë ai komentoi vrasjen e CEO-s së United Healthcare, Brian Thompson dhe shprehu kritika të forta për njerëzit që admirojnë autorin, Luigi Mangione.
“Ishte gjakftohtë. Thjesht një vrasje gjakftohtë, e tmerrshme. Mendoj se është vërtet e tmerrshme që disa njerëz duket se e admirojnë atë. Kjo është një sëmundje, në fakt. Është vërtet shumë e keqe”, nënvizoi Trump.
Një nga ngjarjet që ka shqetësuar amerikanët së fundi është edhe shfaqja e dronëve misteriozë mbi New Jeresy, për të cilët ende nuk ka një shpjegim zyrtar.
Trump tha se nuk e beson që dronët të jenë akt i një fuqie të huaj dhe i bëri thirrje administratës së Biden për më shumë transparencë.
“Ushtria jonë e di se nga janë nisur. Ata e dinë se nga erdhi dhe ku shkoi. Dhe për disa arsye ata nuk duan të komentojnë. Nuk mund ta imagjinoj se është armiku, sepse nëse do të ishte armiku, agjencitë do ta shfarosnin. Diçka e çuditshme po ndodh – për disa arsye, ata nuk duan t’u thonë njerëzve”, u shpreh ai.
Trump ndër të tjera shprehu gatishmërinë për të falur kryebashkiakun e New York, Eric Adams në lidhje me akuzat për pranimin e ryshfetit dhe korrupsionin. Sipas tij, Adams u trajtua mjaft padrejtësisht.