Kur mbrojtësit e Kushtetutës përballen me pengmarrësit e Demokracisë - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kur mbrojtësit e Kushtetutës përballen me pengmarrësit e Demokracisë

    Insajderi
    19 July 2025 - 17:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Artan Behrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës:

    Kuvendi i Republikës së Kosovës në këto 49-të seanca është ndarë në:

    Këto parti që kemi mbetur në sallë për të mbrojtur Kushtetutën, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ligjet, rregulloren dhe praktikat parlamentare,

    Dhe në parti që sapo dolën!

    Parti, që keqpërdorin të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit për agjenda antidemokratike; që kërcënojnë me përmbysje të rendit kushtetues, që mbajnë peng Kuvendin, Qeverinë; që shkelin Kushtetutën, ligjet dhe të gjitha normat.

    Partitë politike që kanë mbetur në sallë janë gjenerata e rezistencës paqësore, e luftës çlirimtare, e shpalljes së pavarësisë dhe e shtetndërtimit.

    Janë partitë që krijuan Republikën.

    Ishin bashkë në rrugët e Kosovës në vitet ’90, duke demonstruar kundër përndjekjes, represionit dhe Apartheid-it.

    U bënë bashkë edhe në frontet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë kundër shtetit të Serbisë.

    Së bashku punuan për të jetësuar aspiratat shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran, kur më 17 shkurt 2008, Presidenti Thaçi shpalli Pavarësinë e Kosovës nga kjo foltore.

    Bashkë punuan për shtetndërtimin, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për transformim ekonomik dhe shoqëror.

    Që nga viti 2008, partitë që kanë mbetur në sallë, bashkë me aleatët strategjikë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – votuan për transformimin e FSK-së në një ushtri moderne që sot mbron Kosovën dhe nesër do të jetë e gatshme për misione paqeruajtëse në kuadër të NATO-s.

    Këto parti, bashkë me aleatët ndërkombëtarë, ndërtuan institucione të forta, demokratike dhe të pavarura.

    Institucione që do t’i rezistojnë tundimeve autokrate të Albin Kurtit!

    Partitë që sapo e braktisën sallën e Kuvendit asnjëherë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur.

    Lëvizja Vetëvendosje në pushtet erdhi përmes dhunës politike, përmes sulmeve ndaj institucioneve, etiketimeve, demonizimit dhe përçarjes shoqërore – erdhi përmes urrejtjes!

    Prandaj, partitë që dolën nga salla nuk kanë ndjeshmëri për shtetin, për institucionet, për Kushtetutën, për ligjet, për rregulloret, për sundim të ligjit.

    Nuk kanë empati, sepse nuk kanë hise në to. Sot, institucionet e Republikës së Kosovës janë të uzurpuara, të okupuara nga një mendësi totalitare.

    Nga një parti politike që nuk njeh ndarjen e pushtetit. Që mban pushtetin me çdo kusht, edhe kur legjitimiteti ka rënë, edhe kur rendi kushtetues kërkon ndryshim.

    Ky është testi më i madh i shtetit dhe i institucioneve të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

    Është përgjegjësi e jona, e këtyre partive që kanë mbetur në salllë që të mbrojmë Kosovën nga ata që gjithmonë e kanë braktisur, që gjithmonë e kanë gërryer, që gjithmonë e kanë rrënuar.

    Por, fruthi i popullizmit ka filluar të përthahet.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës Supreme janë tregues për fuqinë e institucioneve të Kosovës.

    Por, nuk është vetëm Kushtetuta që këta e kanë shkelur!

    Lëvizja Vetëvendosje, tashmë ka shkelur edhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konkretisht nenin 17, e cila ka sanksionuar shumë parti populliste në mbarë Evropën.

    Sepse, kur një e drejtë demokratike përdoret për të përmbysur rendin kushtetues, ajo shndërrohet në padrejtësi dhe në rrezik për shtetin!

    Pra, liria e partive ka kufij kur ato synojnë përmbysjen e demokracisë dhe rendit Kushtetues, kur ato synojnë shkatërrimin e vlerave demokratike, duke u fshehur pas lirive të garantuara kushtetuese.

    Dhe diçka kemi mësuar prej atyre që janë ulur para nesh në këtë Parlament. Edhe nga ata të viteve të 90-ta jashtë këtij parlamenti.

    Në emër të ligjit, në emër të demokracisë dhe në emër të gjeneratave që sakrifikuan për këtë shtet: nuk do të lejojmë që Kosova të shkatërrohet nga popullistë, demagogë dhe autokratë.

    Edhe pas kësaj krize, Kosova do të mbetet një vend modern dhe demokratik, i shëruar plotësisht nga popullzimi, demagogjia dhe mashtrimet!

    Pjesë e fjalimit të deputetit të PDK-së, Artan Behrami në Kuvendin e Kosovës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark