
Përplasjet brenda Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për transmetimin e emisionit të BIRN-it kanë marrë hov të ri, pasi drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka shpërthyer në një reagim të ashpër në rrjetet sociale ndaj drejtoreshës së BIRN-it, Jeta Xharra.
“Pozita e drejtorit të Radio Kosovës nuk është dekor në zyrë, është BESIM që duhet me kthy në punë e rezultate për publikun, me shumë djersë e pak fjalë,” ka shkruar Halili në Facebook.
Ai e ka akuzuar Xharrën dhe bashkëpunëtorët e saj si “matrapazë” që përmes RTK-së “ia kanë zhvatë popullit mbi 2.2 milionë euro, edhe me hile e shkelje ligji”. Sipas tij, këta persona “sot u pengon çdo sukses i yti” dhe “nuk ka tjetër, veç me ua qit pasqyrën përpara – me pa mirë kush janë”.
Halili ka ironizuar duke thënë: “P.S. Videon hala s’e ka pa, përndryshe e kish fshi, siç i ka zhdukë statuset në Facebook. Tash bën vaki e shpërndan vetë 😂”.
Postimi i tij është shoqëruar me një video nga viti 2018, në kohën kur po zhvillohej debati për ligjin për RTK-në. “Ta ndjekim videon,” ka shkruar ai, duke nënkuptuar se ajo tregon shkeljet dhe problemet e ngritura prej tij.
Reagimi i Halilit vjen në kohën kur tensionet brenda RTK-së janë shtuar rreth transmetimit të përmbajtjeve të prodhuara nga organizata të jashtme si BIRN-i dhe mënyrës së përdorimit të fondeve publike.