
Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës, Qeveria e Kosovës ka caktuar marzhën tregtare. 6 për qind për shitësit me pakicë dhe deri në 4 për qind për shitësit me shumicë, shkruan Gazeta Insajderi.
Kjo marzhë nuk është respektuar në të paktën 21 raste për 3 muajt e fundit në Kosovë.
Kështu kanë konfirmuar për Insajderin nga Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Industrisë e Ndërmarrësisë.
21 raste kanë përfunduar në gjykatë.
“Gjatë muajit mars, prill dhe maj 2022, Inspektorati i Tregut ka iniciuar 21 raste në gjykatë, ndaj operatorëve ekonomikë që nuk e kanë respektuar Vendimin e Qeverisë për përcaktim të marzhës tregtare”, thuhet në përgjigjën e MINT për Insajderin.
Gjithashtu kanë deklaruar se janë lëshuar 21 masa administrative/urdhër me shkrim për harmonizim të menjëhershëm të çmimeve, sipas vendimit të lartcekur.
Nga Inspektorati i Tregut kanë bërë me dije se në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në vazhdimësi po kryejnë inspektime të përbashkëta, që ndërlidhen për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe vendimeve të qeverisë.
Kujtojmë që me Vendimin e Qeverisë, të nxjerrë me datën 01/03/2022, është përcaktuar marzha tregtare deri në 6% për shitësit me pakicë dhe deri në 4 % për shitësit me shumicë.
Në Kosovë është paralajmëruar se do të ketë rritje të çmimit të derivateve brenda kësaj jave. Kështu konfirmoi ditë më parë për Gazetën Insajderi kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.
Ai tha se nuk mund të parashikojë se deri në çfarë shifre do të arrijnë çmimet, pasi ka lëvizje të mëdha në Berzën Ndërkombëtare.
“Brenda kësaj jave do të ketë rritje të lehtë të çmimeve, por nuk mund të flas për shifra sepse la lëvizje në Berza. Këto lëvizje janë duke ndodhur shkaku i luftës së Rusisë në Ukrainë”, deklaroi Berjani.
Sipas tij, këtë të mërkurë çmimet e derivateve kanë qenë: Dizelli 1.65 cent kurse Benzina 1.66 cent.
Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.
Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve, është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë
Ndërkohë, stabilizim i tregut të naftës në mbarë botën përfshirë edhe Kosovën pritet të ndodhë në momentin që mbaron lufta mes Ukrainës e Rusisë.
/GazetaInsajderi