Ministrja Artane Rizvanolli, ka shpenzuar rreth 7 mijë euro për udhëtime e akomodim. Rreth 1 mijë e 500 euro në total ka shpenzuar për drekat zyrtare. Por, Rizvanolli duket se e ka kursyer buxhetin tek mëditjet, sipas listës së shpenzimeve të saj del se ka marrë 52 eurove mëditje.
Artane Rizvanolli, Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, ka qenë temë diskutimi ditëve të fundit për shkak të deklaratës së saj për izolimin e shtëpive, si masë për tejkalimin më lehtë të krizës së energjisë, me të cilën pritet të përballet vendi gjatë muajve të dimrit.
Paraprakisht pati deklaruar se energjia duhet të kursehet edhe duke i hequr nga rryma joystickat e lojërave.
Por sa e ka kursyer ajo vet buxhetin e shtetit?
Gazeta Insajderi, ka siguruar listën e shpenzimeve të Ministres Artane Rizvanolli që prej se ka marrë mandatin. Sipas faturave del se Rizvanolli, ka shpenzuar 6 mijë e 943 euro vetëm për udhëtime zyrtare.
Këto udhëtime janë të ndara në dy kategori, shpenzime për udhëtime zyrtare në shumën prej 3 mijë eurove dhe shpenzime të akomodimit në shumën 3 mijë e 848 euro, shkruan Insajderi.
Rizvanolli ka marrë edhe 52 euro për mëditje.
Sipas listës së shpenzimeve Rizvanolli për dreka zyrtare ka shpenzuar 823 euro. Përveç kësaj një punëtori me 27 pjesëmarrës që është organizuar nga ajo, del se ka kushtuar 495 euro. Ndërsa një drekë tjetër pune 178 euro.
Përveç ministres Artane Rizvanolli, edhe zëvendësministri, Mentor Arifaj ka shpenzuar nga taksat e qytetarëve për udhëtime zyrtare.
Sipas faturave të Ministrisë, Arifaj vetëm për shpenzime të udhëtimit ka harxhuar 1 mijë e 100 euro, ndërsa për akomodim 849 euro, shkruan Insajderi.
Kurse zëvendësministri Ksenija Bozovic sipas ministrisë së Ekonomisë nuk ka bërë shpenzime për udhëtime zyrtare, akomodim, dreka zyrtare e mëditje.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar pasuri goxha të majme në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Ajo ka deklaruar se ka një banesë me sipërfaqe prej 91 metra katrorë, vlera e të cilës është 75 mijë e 500 euro.
Rizvanolli ka edhe një veturë të tipit Renault Kadjar të cilin e kishte blerë në vitin 2016 plotë 18 mijë euro, shkruan Insajderi.
Ministrja ka të kursime mbi 200 mijë euro nëpër banka kosovare e ndërkombëtare. Vetëm në njërën bankë ka të kursyer mbi 200 mijë euro, kurse në një bankë në Angli ka mbi 1 mijë 500 euro.
Nga pozita e ministres, Rizvanolli merr pagë vjetore 10 mijë 768 euro, kurse si mësimdhënëse në kolegjin Riinvest merr 5 mijë e 627 euro. Po ashtu, Ministrja Rizvanolli merr mëdije nga ProCredit Bank mbi 2 mijë euro në vit. /Gazeta Insajderi