Për më shumë se tri orë, është intervistuar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, nga Prokuroria Speciale. Pas intervistimit ai u shpreh se ka parë mijëra faqe që dëshmojnë se Astrit Dehari është vrarë me urdhër nga lartë.
Ai është shprehur se për këtë ekzistojnë prova e dëshmi.
“…Unë jam përgjigjur në të gjitha pyetjet, natyrisht që kam deklaruar dhe qëndroj pas çdo fjalie të dhënë më 12 gusht në atë konferencë. Ka shumë fakte që i dhashë në Prokurori se implikimi i funksionarëve të majës së shtetit bashkë me institucionet të sigurisë dhe drejtësisë është e dukshme nga të gjitha dëshmitë, provat, dokumentet që deri sot janë në dorë të publikut dhe në dorë të institucioneve”, tha ai.
Ai ka thënë se ka parë fakte e dokumente që Astrit Dehari është vrarë.
“Unë nuk i posedoj ato fakte, vetëm jam njëri nga personat që e përcjelli rastin. Janë mbi tre mijë faqe, dokumente të ndryshme në lidhje më rastin, prova, analiza e rekomandime në lidhje me rastin Dehari. Shumicën prej tyre i kam lexuar e përcjelli rastin. Aty ka me qindra dëshmi dhe fakte qe vërtetojnë bindjen time që rasti i Deharit është vrasja e plotë me urdhër nga lartë”, u shpreh ai.
Kurteshi ka thënë se intervistimi i tij është bërë në cilësinë e dëshmitarit, duke thënë se i qëndron pas çdo deklarate të bërë në konferencën për media më 12 gusht.