Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismail Kurteshi thotë se janë tri arsye që po e pengojnë njohjen e Kosovës nga vende të reja. Deputeti nga Gjilani beson se imazhi i keq i Kosovës i pasqyruar në botë nga udhëheqja, që sipas tij, është e korruptuar mbetet një arsye e madhe për mosnjohjen e Kosovës.
“Imazhi i keq i Kosovës, që dominon sot në botë, për shkak të udhëheqjes së korruptuar dhe të inkriminuar në veprime të ndryshme ilegale, por edhe sjelljet jo të mira të disa qytetarëve në vendet e ndryshme Evropiane”, tha Kurteshi për të përditshmen Kosova Sot.
Por, një tjetër arsye sipas Kurteshit, është edhe sjellja e Serbisë karshi Kosovës e cila po pengon anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. E kjo për Kurteshin është edhe për shkak të qasjes së gabuar të udhëheqësve kosovarë ndaj Serbisë, raporton Insajderi.
“Angazhimi dhe ndikimi i Serbisë që ta pengojë njohjen e Kosovës nga vendet e tjera dhe pranimin e vendit tonë në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, por edhe sjellja e udhëheqësve aktualë të Kosovës me Serbinë, si me një pronar të Kosovës, e jo si një shtet fqinj”, deklaron Kurteshi.
Kosova vitin e kaluar ka marrë vetëm dy njohje gjatë tërë vitit, duke bërë që mesatarja e njohjeve të bije dukshëm nga vitet e kaluara, ndonëse, një numër prej 111 shtetesh e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. /Insajderi.com