Në kuadër të marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mund të adresohet edhe Asociacioni, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media gjatë vizitës së tij në Austri, raporton Insajderi.
Këtë koment Kurti e dha pas kërkesës amerikane që Asociacioni të formohet si dhe që Kosova të japë propozime për themelimin e saj.
Megjithatë, Kryeministri i Kosovës mohon se mund të ketë Asociacion të komunave mbi kritere etnike derisa u thirr edhe në “privilegjet e pakicës serbe në planin e Ahtisaarit”.
“Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet”.
“Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti [Marty] Ahtisaari dhe nga zoti Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik. Fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhjeje që është hartuar nga nga Ahtisari dhe Rohan, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”, tha Kurti.
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, Kurti tha se bie ndesh me frymën e Kushtetutës së Kosovës, ndonëse ShBA kërkon Asociacion sipas Kushtetutës së Kosovës dhe propozime në përputhje me të.
“Megjithatë, ne ofrojmë garanci dhe të drejtat më të mira dhe më të mëdha për të gjitha pakicat ose komunitetet joshumicë në Kosovë dhe jam shumë i angazhuar në këtë drejtim. Por, pa nënvlerësuar kushtetutshmërisë e vendit tonë”, shtoi Kurti./Insajderi/