Tetë persona janë vrarë dhe disa tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri brenda një objekti të përdorur si kishë nga Dëshmitarët e Jehovait në qytetin verior gjerman të Hamburgut të enjten në mbrëmje, ka konfirmuar Policia e Gjermanisë.
Policia e Hamburgut tha gjatë natës se beson se ishte vetëm një sulmues dhe se besohet se ai ishte në mesin e të vdekurve.
Ata bënë të ditur se pasi oficerët arritën dhe gjetën njerëz me plagë të dukshme me armë zjarri në katin e parë, ata dëgjuan një të shtënë në katin e sipërm dhe gjetën një person të plagosur rëndë aty, për të cilin dyshohet se mund të ketë qenë sulmuesi.
“Hetimi për motivin e krimit po vazhdon”, tha policia, shkruan Gazeta Insajderi.
Për rastin ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili i ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet.
“I trishtuar thellësisht nga lajmi i të shtënave masive të djeshme në një sallë të Dëshmitarëve të Jehovait në #Hamburg që mori jetën e disa njerëzve”.
“Ne e dënojmë këtë akt të pakuptimtë dhune dhe shprehim ngushëllimet tona për familjet dhe të dashurit e viktimave”, ka shkruar Kurti në Twitter, transmeton Gazeta Insajderi.