Kurti dhe "telenovela" me pakon e Ahtisaar-it- Si e përdorte pozitivisht për ta kundërshtuar Asociacionin dhe si po e përdor negativisht për rezultatin zgjedhor? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Analiza

    Kurti dhe “telenovela” me pakon e Ahtisaar-it- Si e përdorte pozitivisht për ta kundërshtuar Asociacionin dhe si po e përdor negativisht për rezultatin zgjedhor?

    Insajderi
    31 March 2025 - 11:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një grafikon ku ka paraqitur hartën e Kosovës përmes së cilave tregon komunat e fituara nga secila parti në zgjedhjet parlamentare, ka përdorur në kontekst negativ pakon e Ahtisaar-it, duke iu referuar gjashtë prej dhjetë komunave me shumicë serbe si “komuna të Ahtisaarit”.

    Teksa ka kërkuar falje për një “huqje” lidhur me komunën e Klinës, duke i mbajtur të përditësuar qytetarët për rezultatin zgjedhor sikurse të ishte vetë KQZ’ja, Kurti u shpreh me ironi për gjashtë komunat jugore me shumicë serbe, të fituara nga Lista Serbe. Iu referua si “komuna të Ahtisaarit“, shkruan Insajderi.

    Harta e postimit të mëhershëm (pardje) nuk i përfshinte votat e mërgatës, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Kur shtohen ato, del që VETËVENDOSJE! edhe në komunën e Klinës është e para, prandaj në hartë tash edhe Klina u bë e kuqe. Ju kërkoj falje për këtë lëshim. Ju falemnderit për përkrahjen. Pra, në zgjedhjet parlamentare 2025, LVV është e para në 22 komuna, PDK në dy komuna, LDK në një, AAK (me Nismën Socialdemokrate) në dy, KDTP në një, ndërsa LS në 10 (prej të cilave gjashtë janë komuna të Ahtisaarit)”, deklaroi Kurti.

    Pakoja e Ahtisaar-it mundësoi formimin e komunave me shumicë serbe nëpërmjet procesit të decentralizimit.

    Sot, ekzistojnë gjithsej dhjetë komuna në Kosovë që janë të banuara me shumicë serbe. Gjashtë prej tyre ndodhen në jug të lumit Ibër – Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi – përderisa katër të tjera, që i lidh territori, ndodhen në veri të tij – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.

    Ky dokument ka shërbyer si bazë për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, në të cilën komunitetet pakicë “diskriminohen pozitivisht”.

    Toni i Kurtit për pakon e Ahtisaar-it jo çdoherë ishte i tillë. Ai e përdorte si shembull për të drejtat e pakicave para ndërkombëtarëve, duke thënë se plotëson të gjitha nevojat e pakicës serbe dhe se s’ka nevojë për një Asociacion të komunave për ta.

    “Kushtetuta jonë nuk lejon asociacione të bazuara në kritere etnike, sepse paragrafi i parë i planit të Ahtisaarit thotë: Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike. Pra mund të kërkohet bashkim të maleve të Rugovës apo maleve të Sharrit, por ai nuk duhet të bazohet në identitet kombëtar”, thoshte Kurti me ironi për ‘Der Standard’.

    Të njëjtën deklaratë e jepte edhe për RTK2.

    Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Kurti prerazi shprehej kundër pakos së Ahtisaarit. Ai ia drejtonte një letër ish-presidentit të ndjerë të Finlandës, duke e akuzuar se po e trajton rastin e Kosovës si unik nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

    Nëpërmjet zgjidhjes që keni propozuar, Serbisë i janë ofruar mundësi të mëdha për ta kontrolluar stabilitetin politik të Kosovës. Ju ndoshta keni menduar se në këtë mënyrë po u ofroni të drejta pakicave, e sidomos asaj serbe, por ndoshta nuk e keni ditur se disa prej hapësirave të Kosovës sundohen nga strukturat e paligjshme të Beogradit. Shumica e serbëve në Kosovë ende mbesin peng i politikave destruktive dhe hegjemoniste të Serbisë. Dhe, propozimi juaj ka shërbyer në mënyrë të përshtatshme që Beogradi ta përdorë këtë mundësi për ta luftuar efektivisht pavarësinë e Kosovës. Ju i keni shërbyer me zgjidhjen tuaj mitit famëkeq serb për Kosovën si ‘Metohi’”, deklaronte ndër të tjera ai në letër.

    Përgjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje, aktivistët Mon Balaj dhe Arben Xheladini kishin mbetur të vdekur nga plagët e marra prej plumbave të gomës në protestën që kundërshtonte pakon e Ahtisaarit. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark