Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

    Insajderi
    21 November 2022 - 08:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bashkimi Evropian ka njoftuar se sot do të mbahet takim i nivelit të lart në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

    BE-ja ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

    Borrell do të pres Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 08:00 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh.

    “Fokusi i takimit emergjent do të jetë që të gjendet një rrugë për të dalë nga kriza aktuale dhe të evitohen përshkallëzimet e mëtutjeshme dhe tensionet në terren, me theks te targat dhe kthimi i serbëve të Kosovës në institucione të Kosovës. Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fund të takimit”, u tha në njoftimin e BE-së.

    Vetë shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, përmes një postimi në Twitter u shpreh se ka ardhur koha që të shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne kemi nevojë për deeksalimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell në Twitter.

    Takimet e sotme mbahen një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e ngasësve të automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

    Autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se nga 22 nëntori do të nisin shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për shoferët në veri që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.

    Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar të gjithë vendimin e Qeverisë për targat.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark