
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i ka quajtur skandaloze deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati për veteranët, shkruan Insajderi.
Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të largojë Muratin nga pozita e ministrit të Financave.
“Janë skandaloze dhe heshtja e kryeministrit karshi këtyre deklaratave është e papranueshme. Ne e shohim që këtu tashmë ka një agjendë, ju e dini që kemi pasur një debat shumë të ashpër për mos përfshirjen e veteranëve të UÇK-së pra pensionin e tyre me mos kategorizimin me pagën minimale në Republikën e Kosovës. Duket që këtu kemi një agjendë të ministrit Murati që ka një kundërshtim të madh ndaj kësaj kategorie jashtëzakonisht të ndjeshme… Mendojmë që kryeministri nuk ka alternativë tjetër veçse largimin e tij nga ky pozicion, besojmë shumë që e çliron edhe veten e vet, sepse në krye të kuletës së shtetit ka vendosur një njëri të papërgjegjshëm dhe të paaftë”, ka thënë Tahiri.
Ndër të tjera, PDK ka kërkuar që projektligji për deklarimin pasurisë të kthehet në komision dhe nga i njëjti të largohet kategoria e mjekëve dhe ajo e profesorëve.