Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është parë teksa ka bërë homazhe në Srebrenicë, të hënën me rastin e shënimit të 21-vjetorit të masakrës në këtë vend në Bosnje, duke arritur ta bëjë këtë vizitë përpara kundërshtarit të tij politik, ish-ministrit, presidentit Hashim Thaçi.
Thaçi që vitin e kaluar në këtë kohë ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, nuk ishte lejuar nga nga Republika Srpska, saktësisht nga presidenti i kësaj republike, Millorad Dodik.
“Përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska”, pati thënë atëherë Thaçi, përcjelljë “lajmi.net”.
Por, siç shihet një bllokadë e tillë nuk ka vlejtur për Albin Kurti, i cili, sipas Vetëvendosjes, ishte i ftuar nga Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, përkatësisht nga kryetarja Munira Subashiq, si dhe nga kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, Murat Tahiroviq./Insajderi.com