Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar për Raportin e BE’së, të cilin e pranoi sot nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media thotë se sipas Raportit të BE’së, Kosova s’ka pasur ecje mbrapa, por pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progress.
“Në pikat e tij kryesore, Raporti i BE-së për Kosovën vlerëson pozitivisht liberalizimin e vizave si një hap që pritet të përmirësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen. Ai vlerëson përkushtimin e Kosovës për përputhshmërinë me politikat e BE-së, nga ku veçohet linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së një hap që reflekton angazhimin për bashkëpunim dhe integrim të plotë në familjen evropiane”.
Tutje thuhet se në raportin e këtij viti gjithashtu vlerësohet angazhimi aktiv i Kosovës në zbatimin e Planit të Rritjes, Agjendën e reformave si dhe angazhimin në promovimin e bashkëpunimit rajonal në zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA me marrëveshje të reja që forcojnë tregtinë dhe lidhjet ekonomike brenda rajonit.
“Forcimi i kornizës ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohen gjithashtu pozitivisht si prioritet i qeverisë për një shtet të së drejtës. Reformat zgjedhore, sikurse edhe përmirësimi i kushteve të tregut të lirë dhe mbështetja për sipërmarrësit që ndihmon në rritjen e konkurrencës dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Raporti vëren se nuk ka pasur asnjë ecje mbrapa në asnjërën nga fushat kyçe të reformës, ndërkohë që pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres – dëshmi kjo e përkushtimit të qeverisë për përparim dhe progres të vazhdueshëm”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri mirëpriti rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në rrugën e reformave.
“Integrimi i plotë i Kosovës në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe angazhimi në reforma është në interes të qytetarëve për progress të gjithmbarshëm demokratik dhe socio-ekonomik”.