×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e Rama ‘pikë e pesë’, Gërvalla: Raportet Kosovë-Shqipëri s’kanë qenë kurrë më të forta

    Insajderi
    11 June 2024 - 17:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndërkohë që mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama po vazhdojnë të thellohen përplasjet në distancë, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz po vlerëson se marrëdhëniet mes “Shqipërisë dhe Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë më të forta”. Kur e thotë këtë nuk dihet se kujt ose çkaje i referohet, shkruan Insajderi.

    Vetëm një ditë më parë, nga zyra e kryeministrit Kurti deklaruar se Rama ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në aktivitet që do të mbahen për 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

    Dhe nuk është kjo përballja e vetme mes dy kryeministrave, sidoqoftë me një sy krejt tjetër po i sheh Gërvalla.

    VIDEO

    “Ndërsa sa i përket vizitës së kryeministrit Rama në Kosovë, ne gjithnjë jemi të lumtur kur përfaqësues të lartë nga Shqipëria vijnë në Kosovë, unë besoj që edhe presidenti Begaj do të na bashkëngjitet në festimet që do të kemi me rastin e 25-vjetorin e çlirimit. Për mua është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë kaq përmbajtjesore dhe kaq të forta sa që janë në këtë moment, kjo është ajo kryesorja”, tha ajo për Telegrafin.

    Siç njoftoi Qeveria Kurti gjatë ditës së djeshme, Rama ka refuzuar të jetë i pranishëm për 12 qershor në Kosovë.

    “Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor. Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore”, thuhet në reagim.

    Në reagimin e qeverisë nuk ka munguar edhe ironia kundrejt Ramës, duke thënë “Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të qeverisë së Kurtit”.

    Rama ka qenë i pranishëm në konferencën “Rugova dhe Perëndimi” të mbajtur këtë të hënë në Prishtinë në nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.

    Pjesë nga fjalimi i tij u lexuan edhe si thumba ndaj kryeministrit Kurtit, ku Rama mes tjerash thotë “Rugova na kujton sa të vegjël jemi, nuk bëjmë dot pa aleatët e mëdhenj”.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark