![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në shënimin e 15-vjetorit të marrëdhënieve zyrtare diplomatike gjermano-kosovare.
Me këtë rast, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, së bashku me organizata dhe institucione të tjera gjermane dhe me lidhje gjermane në Kosovë, po organizojnë aktivitete të ndryshme në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi tha se duke uruar shtetin gjerman për gjithë kontributin që ka dhënë për Kosovën, Kurti është shprehur se ka nderin që është këtu për të kremtuar 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.
“Në këtë ceremoni, në të cilën ishte edhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Jorn Rohde, para të pranishmëve, kryeministri Kurti kujtoi se Gjermania ishte ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Kosovës, e veç kësaj Gjermania ishte shteti që u bë strehë për shumë shqiptarë që nga vitet e ’70-ta, qoftë për shkak të okupimit apo edhe të luftës më vonë”, thuhet në njoftim,
“Në këto 15 vite të miqësisë, ndërmjet Republikës sonë dhe asaj Gjermane, ne kemi kujtimet më të mira nga mbështetja gjermane në sundim të ligjit, në arsim, në efiçiencë të energjisë dhe në infrastrukturë”, është shprehur Kurti, duke theksuar se bashkëpunimi, partneriteti, aleanca dhe miqësia jonë me shtetin gjerman, sa do të vije duke u thelluar e zgjeruar.