
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar sot në Gjermani katër deputetë të Bundestagut Gjerman, të grupit parlamentar për çështjet e Evropës Juglindore, të cilëve u ka shprehur qëndrimin e Vetëvendosjes për dy marrëveshjet më të rëndësishme aktuale, atë të Demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të komunave serbe.
Së bashku me sekretarin e VV-së për marrëdhënie me jashtë, Boiken Abazin, ish-lideri i VV-së takoi katër deputetë të Budestagut: Peter Weiss (CDU/CSU), Kryetar i Grupit, Thorsten Frei (CDU/CSU), Heinz Wiese (CDU/CSU) dhe Dirk Vöpel (SPD).
“Në takim perfaqesuesit e Lëvizjes shpalosen programin politik dhe qëndrimet e Lëvizjes lidhur me marrëveshjen për “Zajednicën” dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Deputetët gjermanë ishin tejet të interesuar të mësonin më shumë mbi Lëvizjen dhe të mbanin të hapur një linjë të vazhdueshme komunikimi”, thuhet në komunikatën e VV-së, raporton Insajderi.
Më tej, përfaqësuesit e Lëvizjes u takuan me aktivistë te Pikës së Berlinit për të nxitur mobilizimin për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes që po mbahen edhe në Qendrën e Gjermanisë. /Insajderi.com