Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur për raportet që ka pasur me emisarin Grenell dhe me administratën Trump.
Ai ka thënë se raportet e Kosovës janë të shkëlqyera me Amerikën.
Kurti tha se Richard Grenell është emëruar me detyra në Kore të Jugut, Venezuelë e misione të posaçme. Sipas tij, e kaluara nuk do të ndikojë në raportet aktuale.
“Në raport me Amerikën kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme, që nuk janë vetëm në diplomaci por edhe të mbrojtjes e zhvillimit. Në fushën e mbrojtjes po bëjmë më shumë blerje. Po bëjmë trajnime të ndryshme. Nuk shoh kurrfarë vështirësish për marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA, që janë partneri ynë kryesor. Unë nuk besoj që do të ndikojnë në raportet tona. Ish-emisari Grenell ka detyrë për Korenë e Jugut, Venezuelën dhe misione të posaçme, është e rëndësishme çfarë emërime të reja do të ketë në administratë”, tha Kurti për Kosovapress.
Kryeministri foli edhe për masat e BE-së dhe njohjet e reja.
“Për neve kruciale janë pesë shtetet e BE-së. Në politikën e jashtme kemi qenë të përqendruar te substanca. Njohjet nuk po varen vetëm prej neve. E kemi dyfishuar numrin e atasheve të mbrojtjes, kemi blerë 5 ambasada, në proces janë edhe 5 të tjera. Pasaporta e Kosovës është forcuar si asnjëherë më parë. Njohjet kanë qenë kryefjala e opozitës, mos të na krahasojnë. Nuk mendoj që janë humbur milionat, janë bllokuar. Viktima e parë e masave të BE-së ka qenë ministri Nenad Rashiq që iu anuluan takimet në Bruksel. Nuk mund të jap një datë për këtë, masat janë vënë padrejtësisht”, tha Kurti më tutje.