Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se po vazhdojnë përgatitjen për takimin e Nivelit të Lartë të Ohrit më 18 mars, takim ky i cili pritet të prodhojë një pajtim rreth Aneksit të Zbatimit të Plan-Propozimit evropian normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Insajderi.
Këto përgatitje Kurti tha se kanë të bëjnë me atë se si do t’ia bashkëngjesin planin e zbatimit të marrëveshjes së pajtuar në Bruksel.
“Do të vazhdojmë përgatitjet për takimin e 18 marsit dhe të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit edhe planin e mirëfilltë të zbatimit që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja edhe efikasiteti”, ka thënë Kurti.
Ai rikujtoi edhe se ishte i gatshëm ta nënshkruante atë marrëveshje qysh në takimin paraprak të Nivelit të Lartë në Bruksel, por se ishte pala serbe ajo që, sipas tij, refuzoi.
“Unë isha i gatshëm të nënshkruaj kur ishim në Bruksel, andaj ju e kuptoni që për marrëveshje duhen dy palë. Është dëm që teksti i dakorduar tashmë nuk është nënshkruar më 27 shkurt. Pse s’ka nënshkrime, besoj përgjigjen duhet ta kërkoni tek të tjerët”, ka shtuar ai.
Në përpjekjet për të arritur pajtim për tekstin e zbatimit të marrëveshjes, Përfaqësuesi Special i BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, udhëton të premten në Prishtinë, për të vazhduar javën tjetër edhe në Beograd.
Këto takime Lajçak i zhvillon në funksion të arritjes së pajtueshmërisë për planin e zbatimit para takimit të Nivelit të Lartë në Ohër më 18 mars./Insajderi/