Hapja e arkivave të Beogradit dhe zbulimi i varrezave të reja masive janë dy nga preokupimet kryesore të shtetit të Kosovës, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas kryerjes së homazheve në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, në 24 vjetorin e masakrave të ushtrisë serbe ndaj popullatës civile shqiptare, shkruan Insajderi.
Në lidhje me personat e pagjetur nga lufta, kryeministri tha se nuk janë thjesht të pagjetur, “por të zhdukur me dhunë”.
“Ata nuk janë thjeshtë vetëm të pagjetur, ata janë të zhdukur me dhunë dhe dy janë preukupimet tona kryesore, hapja e arkivave në Beograd, meqenëse atje është e vërteta për planet gjenocidiale të Serbisë që rezultuan me qindra masakra në Kosvë dhe tjetra është edhe zbulimi i varrezave të reja masive […]”
“[…] e dihet që një gjë e tillë ka hasur në shumë obsduksione dhe pengesa në Serbi, ku në pesë varreza masive janë zbuluar tashmë në vitet e shkuara afër 1 mijë trupa të shqiptarëve, por natyrisht që ne dyshojmë se ka edhe të tjera. Por, asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, e ndihmuar kërkesa dhe hulumtimi për varreza të tjera”, është shprehur ai./Insajderi/