
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit akademik në Universitetin e Prishtinës, ku gjithashtu iu dha çmimi “Alumni i Nderit”.
Por, në postimin e tij publik, bien në sy dy gabime të rëndësishme.
Së pari, Kurti i referohet ende universitetit si “Hasan Prishtina”, pavarësisht se ky emër u hoq zyrtarisht në vitin 2024 dhe tashmë institucioni përdor vetëm emrin “Universiteti i Prishtinës”.
“Universiteti e ndan historinë tonë në dy kohë. Prishtina para dhe pas universitetit të saj. Po kështu, fati i Kosovës është i pandarë nga fati i Universitetit të Prishtinës. Asnjë universitet tjetër i rajonit nuk ka pasur një arsye të tillë të ekzistencës politike dhe publike, si Universiteti “Hasan Prishtina”, me qenien publike të Republikës tonë”.
E dyta, Kurti e uron fillimin e vitit akademik më 1 tetor, ndërkohë që viti akademik i studentëve në fakt ka nisur më 15 shtator, sipas kalendarit zyrtar të Universitetit të Prishtinës.
“Jemi mbledhur këtu, mes profesorëve e studentëve në javën e parë të këtij viti akademik. Dhe nuk është rastësi që pikërisht “1 Tetori”, dita kur ju keni filluar vitin tuaj akademik, është përcaktuar si Dita e Studentëve. Nga njëra anë me peshën historike të vet, nga ana tjetër me emrin e studentit, mbartësit kyç e subjektit të dijes”.
Insajderi.org