Kryeministri Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që shteti i Serbisë ta dorëzojë terroristin Milan Radoiçiq tek autoritetet e Kosovës si organizatori i sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Kurti u takua të martën me Kallasin në Bruksel.
“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku”.
“Kryekrimineli i bandës që kreu sulmin në Banjskë – mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, deklaroi Kurti.