Kryeministri Albin Kurti, gjatë seancës ku po diskutohen katër vitet e qeverisjes së tij, iu përgjigj kritikave të opozitës duke theksuar se flet me krenari dhe besim për punën e bërë gjatë mandatit të tij.
Ai tha se janë kritikuar për mos arritjen e njohjeve të reja, por se asnjëherë nuk kanë premtuar se do të arrihen njohje të reja apo liberalizimi i vizave.
Sipas tij, premtimet e qeverisë kanë qenë të orientuara në punësim dhe drejtësi, dhe se për këto duhet të vlerësohen arritjet e realizuara.
Kurti theksoi se është krenar për katërvjeçarin e qeverisjes dhe për ndryshimet që kanë prekur jetën e çdo qytetari.
Ai shtoi se këto arritje flasin për një të ardhme më të mirë dhe të barabartë për të gjithë.
Në fjalën e tij, Kurti përmendi arritjet në ekonomi, duke theksuar rritjen prej 6,36% të bruto produktit vendor dhe uljen e papunësisë.
Sipas tij, një sfidë mbetet aktivizimi i grave, për të cilat janë krijuar mundësi punësimi indirekt për 12 mijë gra.
Ai gjithashtu përmendi rritjen e pagës minimale në 350 euro, duke theksuar se kjo pagë nuk ishte prekur për një dekadë.
“Unë qëndroj me krenari dhe besim për këtë katër vjeçar. Është një histori ndryshime që prekin jetën e secilit qytetarë. Këto histori suksesi flasin për një të ardhme më të mirë që nuk e përjashtojnë askënd. Le të fillojmë me ekonominë, për këto katër vite kemi pasur 6,36 për qind të bruto produkt vendor. Papunësia që dikur ndihej si një re e rend sot ka rënë, sfidë na mbetet aktivizimi i grave… kemi punësuar indirekt 12 mijë grave, pagën minimale e kemi të re 350 euro, ka pasur diskutimi sipas moshës, e kemi gjetur 170 e paga minimale që nuk është prekur për një dekadë”, tha ai në Kuvend.