Kurti i njofton ministrat për takimet në Athinë: Thashë se njohja reciproke është e domosdoshme - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti i njofton ministrat për takimet në Athinë: Thashë se njohja reciproke është e domosdoshme

    Insajderi
    23 August 2023 - 12:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Albin Kurti i njoftoi ministrat për takimet në Greqi, ku shkoi për një darke joformale të liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ata të Bashkimit Europian dhe të Ukrainës e Moldavisë.

    Kurti tha në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë se në atë darkë ka theksuar se “anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Europian nuk ka alternativë” dhe se ka thënë që njohja reciproke me Serbinë “është e domosdoshme”, ashtu si “të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave europiane”.

    “Në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Europian nuk ka alternativë. Të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE, duhet ta zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. Dhe se për fqinjësi të mirë, demokratike e europiane është e domosdoshme njohja reciproke de jure e de facto, si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave europiane”, tha Kurti.

    Shefi i Qeverisë tha se në takimet bilaterale ka folur për “progresin ekonomik” dhe “rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë”.

    “Deeskalimi në katër komunat në veri të vendit praktikisht ka ndodhur”, tha ai, duke shtuar se Kosova po e respekton marrëveshjen me BE-në.

    Takimi në Athinë, Kurti tha se “i kontribuon bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit në BE”.

    “Për Kosovën, pjesëmarrja në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë përbëjnë edhe një hap tjetër drejt avansimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Greqisë”, tha ai.

    Kurti paraprakisht e përmendi se në Athinë ishte edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark