“Kurti” i personalitetit - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    “Kurti” i personalitetit

    Insajderi
    13 February 2021 - 14:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në fjalimin e tij të fshehtë “Mbi kultin e personalitetit dhe pasojat e tij” për Stalinin në vitin 1956, pra rreth tre vite pas vdekjes së këtij të fundit, Nikita Hrushçov ndër shumë akuza e dëshmi të tjera për brutalitetin e Stalinit tha:

    “…është e palejueshme dhe e huaj për frymën e Marksizmit-Leninizmit, të veçohet një person i vetëm dhe të shndërrohet në një lloj mbinjeriu me atribute mbinatyrore, hyjnore. Ky njeri gjoja di gjithçka, sheh gjithçka, mendon për të gjithë, është në gjendje të bëjë gjithçka, është i pagabueshëm në veprimet e tij. Një ide e tillë për një person, konkretisht për Stalinin, ishte e përhapur në mesin tonë për shumë vite.”

    Pa pretendim për vlerësimin e figurës së Nikita Hrushçov-it, qoftë për të mirë apo të keq, por me qëllim të paraqitjes së pendimit për pushtetin stalinist, pjesë e të cilit ishte edhe vetë Hrushçov-i, po e citoj dhe tematizoj këtë fjalim. Në fjalim me detaje dhe përpikshmëri Hrushçov tregon për keqpërdorimin e pushtetit, represionet, intolerancën dhe brutalitetin e Stalinit, si dhe për pasojat e koncentrimit të pushtetit në duart e një personi.

    “Në vend se të dëshmonte që politikisht ka të drejtë dhe t’i mobilizojë masat, ai zgjodhi rrugën e Represioneve dhe të shkatërrimit fizik, jo vetëm për armiqtë e vërtetë, por edhe për njerëzit që nuk kishin bë faj ndaj Partisë dhe pushtetit sovjetik.”

    Pas fjalimit para anëtarëve të përzgjedhur të partisë, të urdhëruar që ky fjalim të mbahej i fshehtë, dikush ia zgjati një letër në të cilën ishte e shkruar pyetja:

    “Çfarë bëre ti, kur Stalini i bënte këto krime?”, Hrushçov e lexoi pyetjen me zë të lartë dhe e luti autorin e pyetjes të ngritet në këmbë. Kur askush nuk lëvizi, Hrushçov tha: “Pikërisht kjo është ajo që e bëra, kur Stalini ishte në pushtet.”

    Në këtë kohë e në Kosovë, kur lexon pjesë të ndryshme nga ky fjalim, pashmangshëm të parafytyrohet një njeri me kult të personalitetit të ngjashëm si ai i trajtuari në fjalim.

    Natyrisht, Kosova nuk është Bashkimi Sovjetik dhe mundësitë ia kufizojnë vullnetin një personi për të bërë dëme aq të mëdha, por “Kurti” i personalitetit nuk mbetet pa pasoja. Në relacion me Bashkimin Sovjetik pasojat në Kosovë janë të vogla, por relacionet janë modele e vuajtjet mbesin vuajtje dhe nuk njohin relacione.

    Bashkimi Sovjetik nuk kishte shembull në Histori ku mund të bazohej për parashikim se çfarë i pret me Stalinin në pushtet dhe ndonëse fjalime të tilla përplot pendim mund të kuptohen.

    Ne nuk kemi nevojë të provojmë dikë që është nisë rrugës së Stalinit, me dallimin e vetëm se ky është farsë e tij. Por, në rast që e provojmë nuk kemi hapësirë për fjalim e fjalë pendimi.

    Të nxjerrim mësime nga historia, të deduktojmë dhe të mos i bëjmë gabimet e njëjta. Të shfrytëzojmë mundësitë që na i ofron historia për të ecur pa u penduar.

    Kujtim Robelli


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark