Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit deklaroi se shqiptarët po marshojnë në drejtim të Urës së Ibrit.
Kurti, me anë të një postimi në platformën ‘X’, deklaroi se ky është pretendim i rrejshëm i Vuçiqit, që po synon të krijojë “atmosferë frike” dhe “të shkaktojë reagim nga KFOR-i”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Me pretendimet e rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë (Urën e Ibrit), presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë atmosferë frike dhe të shkaktojë reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë një gjë të tillë”, deklaroi Kurti në ‘X’.
“Asnjë shqiptar s’ka marshuar mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendës i një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka deklaruar Kurti.
Serbët kanë paralajmëruar protestë nesër, në kundërshtim të hapjes së Urës së Ibrit. /Insajderi.org/