×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti injoron ish-kryegjyqtarin e EULEX-it, Insajderi sjell dëshminë e tij

    Insajderi
    17 June 2021 - 19:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Albin Kurti ka shpërfillur në tërësi një dëshmi të gjatë të britanikut Malcolm Simmons mbi aferat e dyshuara korruptive brenda EULEX-it. Shefi i qeverisë nuk i ka kthyer përgjigje ish-kreut të gjyqtarëve të EULEX-it për provat që i janë prezantuar përmes një dokumenti 110-pikësh. Insajderi sjell në detaje dëshminë e Simmons, e cila i ka shkuar Kurtit dy javë më parë.

    Shkruan: Eros Klaiqi

    Malcolm Simmons, ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it i cili dha dorëheqje katër vjet më parë duke akuzuar misionin e Bashkimit Evropian për korrupsion, përmes një dokumenti i ka dëshmuar kryeministrit Albin Kurti në detaje pretendimet e tij mbi skandalet e EULEX-it.

    Në dëshminë e prezantuar në 110 pika, Simmons i është adresuar kryeministrit Kurti dy javë para se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të nënshkruante letrat me Bashkimin Evropian për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për një vit tjetër.

    Osmani i vazhdoi të martën mandatin misionit evropian për sundimin e ligjit – EULEX edhe për një vit. Mandati i tij do të skadonte këtë muaj.

    Simmons ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit që t’i mundësohet raportimi në Kuvend për ato që ai i cilëson skandale të misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

    Të dhënat e Simmonsit – të cilat hedhin dyshime mbi afera korruptive, ndërhyrje politike e kurdisje të dënimeve në EULEX – i ka shpërfillur kryeministri Kurti.

    Shefi i ekzekutivit, i cili kishte thënë se “nuk e njoh EULEX-in” kur ishte akuzuar nga ky mision për ngjarjet e protestës së shkurtit 2007, ka injoruar dëshminë e ish-kryegjyqtarit të EULEX-it. Nuk i ka kthyer ende përgjigje Simmonsit.

    Dy vjet më parë, Insajderi raportoi në një seri shkrimesh për skandalet e EULEX-it. Në këtë seri shkrimesh të Insajderit, Simmons, akuzonte EULEX-in për korrupsion, ndërhyrje politike, presion dhe kërcënime për largim nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk u nënshtroheshin urdhrave politikë.

    Në një padi të këtij gjyqtari pretendohej se të paktën në dy raste kanë pasur urdhra për të dënuar njerëz të cilët konsideroheshin problematik në raport me bisedimet e Kosovës me Serbisë.

    Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve, Malcolm Simmons, kishte paditur drejtuesit më të lartë të EULEX-it, dhe ka hedhur shumë dyshime me prova se ky mision ka qenë gjithçka tjetër pos, mision i drejtësisë.

    Mes të paditurve janë Mats Mattson, Gerrit Sprenger dhe Charles Smith. Smith, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Speciale.

    Simmons, çështjen e plotë të tij me EULEX-in ia ka parashtruar Kurtit më 3 qershor.

    Insajderi ka siguruar dëshminë e ish-gjyqtarit britanik të EULEX-it. Aty përmenden prova se si individë përgjegjës për administrimin e drejtësisë dyshohet se ndërhynin në mënyrë të paligjshme në drejtësinë në Kosovë.

    Në dokumentin 110-pikësh drejtuar Kurtit, ai akuzon EULEX-in dhe një numër drejtuesish të këtij misioni se i kishin montuar tri raste hetimore disiplinore, për ta ndëshkuar për shkak se nuk ishte pajtuar me mënyrën se si po i qaseshin drejtësisë eprorët e tij.

    Ai dëshmon për tri procedura disiplinore që EULEX-i kishte ngritur ndaj tij.

    “EULEX-i dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian vazhdojnë të pohojnë që bordi disiplinor për sjellje të keqe ka konstatuar që jam përgjegjës, që një gjykatë angleze i ka hedhur poshtë pohimet e mia për sjellje të këqija kundër EULEX-it dhe EEAS dhe që, për pasojë, dëshmia ime nuk mund të pranohet si e besueshme”, dëshmon Simmons.

    Teksa thotë se është e saktë që kundër tij kishin nisur procedurat disiplinore, Simmons thotë se “megjithatë, procesi disiplinor ishte farsë”.

    “Kishte filluar nga një staf i lartë i EEAS, të cilin e kisha akuzuar për sjellje të keqe të rëndë. Personat e njëjtë i kanë nisur hetimet disiplinore dhe i kanë përcjellur pretendimet në një bord disiplinor. Personat e njëjtë kanë bërë komplot me hetuesit dhe anëtarët e bordit disiplinor”, konstaton ai.

    Dëshmia e britanikut Simmons mbi skandalet e EULEX-it prezanton edhe përpjekjet e tij për raportimin e rasteve të ngritura nga ai, si dhe mosndërmarrjen e asnjë veprimi nga EULEX-i për hetimin e tyre.

    “Që nga vitit 2013 unë kisha raportuar në instancat e Zyrës së MB për Punë të Jashtme & të Komonuelthit lidhur me sjelljen e keqe të stafit të EULEX-it, përfshirë kryerjen e veprave penale dhe ndërhyrjen e stafit të lartë menaxhues të EULEX-it në gjykimet penale”, dëshmon Simmons. “EULEX-i nuk filloi kurrfarë hetimesh”.

    Provat e ish-gjyqtarit britanik, të cilat paraqiten në dëshminë e tij për Kurtin, denoncojnë stafin e EULEX-it për “përfshirje në kryerje të veprave penale dhe ndërhyrje të stafit të lartë menaxhues të EULEX-it në gjykimet penale”.

    “EULEX-i nuk filloi kurrfarë hetimesh”, thotë Simmons në letrën e tij.

    Simmons i shpjegon Kurtit se si më 2016, një gjyqtar i një shteti anëtar të BE-së, i punësuar nga EULEX-i, “i kishte hakuar emailat privatë” të tij.

    “Kopjet e emailave të mi iu dhanë stafit të lartë të EEAS. Ata emaila zbuluan që isha sinjalizues dhe që kisha raportuar tek Qeveria e MB dhe agjencia kundër mashtrimit e BE-së (OLAF) lidhur me çështjet që ishin shqetësim serioz brenda Misionit të EULEX-it, përfshirë ndërhyrjen në gjykimet penale dhe kryerjen e veprave penale”, vlerëson Simmons.

    Përkundër “kërkesave të shumta”, thotë Simmons, BE-ja nuk filloi ndonjë hetim të pavarur lidhur me pretendimet e tij për qasje në emailet e tij privatë.

    Provat e Simmons ndaj EULEX-it përfshijnë edhe rastin e akuzave të ngritura ndaj misionit të BE-së në Tribunalin e Punës në Angli. Rasti ishte hedhur poshtë, por sipas Simmons, EULEX-i nuk i kishte cilësuar si të pavlefshme pretendimet e tij për aferat brenda EULEX-it.

    “Tribunali e hodhi poshtë rastin tim vetëm për arsye se konstatoi që nuk kishte juridiksion për t’i shqyrtuar ato pretendime. Kjo ishte arsyeja e vetme. Në të vërtetë, avokati i cili u paraqit për EULEX-in dhe EEAS para tribunalit kurrë nuk pohoi që pretendimet e mia nuk ishin me vlerë ose që meritonin të shqyrtoheshin në gjykatë”, vlerëson Simmons në dëshminë e tij.

    “Kundërshtimi i tyre i vetëm ishte që gjykata duhet të jetë në Bruksel dhe jo në Londër. Pohimi i EULEX-it që tribunali i kishte hedhur poshtë pretendimet e mia ishte keqinformues – dhe EULEX-i kishte për qëllim keqinformimin”.

    Kësisoj, insiston Simmons, tani është koha qe EULEX-i dhe Bashkimi Evropian t’i adresojë këto çështje “dhe t’u përgjigjet pyetjeve”.

    Pretendimet tij ndaj EULEX-it, Simmons synon t’i parashtrojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për këtë i ka shkruar letër Kurtit. Por, betejën e ka nisur para një viti.

    Gjatë vitit 2020, Simmons kishte shkruar një letër për Kuvendin e Kosovës, në të cilën shpreh vullnetin e tij për të dëshmuar në kuvend, gjë e cila ishte diskutuar në Komisionin Parlamentar për Legjislacionin.

    Sipas letrës, Simmons kishte qenë disa herë dëshmitar sjelljesh të gabuara që do të dëshmonin se individë përgjegjës për administrimin e drejtësisë ndërhynin në mënyrë të paligjshme në drejtësinë në Kosovë.

    Deputetët kishin vendosur që për të gjitha këto pretendime ai të raportonte para tyre në janar të këtij viti, por raportimi nuk kishte ndodhur për shkak të shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme që ishin mbajtur më 14 shkurt.

    Simmons nuk është ndalur. Ai, një kërkesë për raportim para Komisionit për Legjislacion e ka bërë sërish para dy muajve.

    Kryetari i Komisioni për Legjislacion, Adnan Rrustemi, pati bërë të ditur se në mbledhjet e ardhshme do të vendosnin për një datë kur do ta dëgjonin dëshminë e ish-gjyqtarit të EULEX-it.

    Pavarësisht insistimit të Simmons, raportimi i tij para deputetëve të Kuvendit ende nuk ka ndodhur.

    Gazeta Insajderi, më 8 qershor i ka shkruar Zyrës së Kryeministrit për ta pyetur nëse e ka pranuar letrën e ish-gjyqtarit të EULEX-it, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga kabineti i Kurtit.

    Simmons kishte shërbyer si kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it nga vitit 2014 deri më 2017.

    Simmons, në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde” vite më parë, kishte thënë se EULEX-i dëshironte ta rrëzonte një pjesë të klasës politike kosovare.

    “EULEX-i nuk është një mision që synon promovimin e shtetit ligjor. Është një mision politik. Kushdo që e mendon të kundërtën është ose naiv ose i marrë”, citon Le Monde, gjykatësin Simmons, i cili thotë se “EULEX-i dëshironte ta rrëzonte një pjesë të klasës politike kosovare“, kishte deklaruar Simmons.

    I menjëhershëm kishte qenë reagimi i misionit të EULEX në Kosovë. Zyrtarë të këtij misioni në një deklaratë për medie, kishin thënë se ata janë duke hetuar pretendimet e gjykatësit britanik Simmons, i cili sipas tyre, është po ashtu nën hetime, për të njëjtat pretendime të ngritura kundër tij.

    EULEX është vendosur në Kosovë në vitin 2008, pasi Kosova ka shpallur pavarësinë.

    Ai ka përbërë misionin më të madh civil në kuadër të politikës së përbashkët të Bashkimit Evropian për siguri dhe mbrojtje.

    Në fazën e hershme, qëllim i tij ishte t’i ndihmonte autoritetet e Kosovës në ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit.

    Shumica e kompetencave të drejtësisë që ka pasur administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, i kanë kaluar EULEX-it.

    Por, nga viti 2018, edhe kompetencat dhe përgjegjësitë e EULEX-it janë reduktuar në masë të madhe, duke i kaluar sistemit vendor. /Insajderi.org

    Shkrimi vijon nesër…

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark