Kryeministri Albin Kurti në një paraqitje para gazetarëve ka folur për takimin me krerët opozitar.
Kurti ka thënë se takimi i mëngjesit ishte takim njoftues për situatën e sigurisë.
“Takimi që pata sot në mëngjes ishte shumë i mirë. Ishte takim njoftues për situatën e sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz. Përshtypja ime është se krerët opozitar janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues”, është shprehur kryeministri, përcjell Insajderi.
Kurti e ka përsëritur deklaratën e djeshme ku tha se nuk ka prishje të raporteve me Amerikën.
“Së pari nuk bëhet fjalë për kurfarë prishje të raporteve siç e kam thënë edhe dje, koordinimi, komunikimi, kontaktet me SHBA, BE, Naton, KFOR-in, Eulexin janë të vazhdueshme, përkundrazi nuk ka cenim ka dendësi të komunikimit dhe bashkërendimit”.
I pyetur për largimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt nga takimi, Kurti me ironi ka thënë se nuk dëshiron t’i lë analistët pa punë.
“Për atë se si kush sillet nuk mendoj se duhet t’i lë pa punë analistët për debatet e mbrëmjes”.
Ndërsa, për vendosjen e flamujve në oborrin e qeverisë, Kurti ka thënë se gjithkush është i lirë të bëjë çfarë të dojë.
“Të gjithë janë të lirë të bëjnë çka të duan përbrenda ligjit dhe kushtetutshmërisë edhe një herë po e theksojë se nuk ka nevojë t’i lë analistët pa punë jam për t’i shtuar vendet e punës jo për t’i zvogëluar”, ka theksuar Kurti. /Insajderi