×
Analiza

Albin Kurti ishte i dënuar me burg si Etem Arifi kur u bë deputet

Insajderi
02 December 2020 - 19:55
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Beadin Syla

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon nga Gjykata Kushtetuese që ta shpall të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, për Qeverinë Hoti, pasi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë, për veprën penale mashtrim me subvencione.

Për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese, ka mbajtur seancë dëgjimore me palët e përfshira në këtë rast, para se të marrë vendimin përfundimtar.

Partia e Albin Kurtit, po pretendon se Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si deputet pasi ai është dënuar me burgim efektiv.

“Për të kuptuar çështjen kontestuese, i kujtojmë Kushtetueses se pezullimi apo kufizimi i të drejtave politike parashihet me ligj. Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si deputet pasi ai është dënuar me burgim efektiv. Është papërgjegjësi totale juridike”, ka thënë Blerim Sallahu, përfaqësues ligjor i VV-së në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese.

Por, se si është certifikuar Etem Arifi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka treguar kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka.

“Nëse KQZ-ja do të kishte hasur në vendim gjyqësor me emërtim heqja e së drejtës për t’u zgjedhur do të merrte në konsideratë për të mos rekomanduar, apo certifikuar ndonjë kandidat i subjektit politikë”, ka thënë Daka.

Njëjtë ka vlerësuar edhe përfaqësuesi i zyrës së kryeministrit Avdullah Hoti. Avokati, Besnik Berisha ka thënë se deputeti Arifi nuk ka pasur dënim që ia mohonte të drejtën e zgjedhjes.

“Zoti Arifi e ka humbur mandatin e deputetit në legjislaturën e gjashtë. Pasojat e këtij vendimi janë ekzekutuar dhe kanë pasur fuqi në mandatin e gjashtë. Është e parëndësishme kur është njoftuar Kuvendi”, ka thënë Berisha.

Deputeti Etem Arifi me 20 prill 2018, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 2 vjet burg me kusht, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale, sa i përket vendimit mbi dënimin.

Apeli, aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar dhe të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj.

Deputeti Etem Arifi bashkë me Bajram Gashin, që kishte drejtuar OJQ-në “Zëri i Ashkalinjve”, janë akuzuar për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Etem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyre shumën prej 25.646.00 euro.

Të akuzuarit janë obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) t’ia kompensojnë shumën prej 22.900 euro si dhe Zyrës për Komunitete në Kryeministri shumën prej 2.749 euro.

Në fillim të muajit gusht, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar urdhërarrest për Arifin, mirëpo ai kishte arritur që t’i shmangej arrestimit.

Për dënimin, Arifi pati bërë ankesë në Gjykatë Kushtetuese, por ky institucion, më 23 shtator, nuk e mori në shqyrtim kërkesën e tij, meqë e konsideroi si të papranueshme.

Mirëpo, një rast i ngjashëm kishte ndodhur në vitin 2009, kur lideri i VV-së, me 14 qershor të po atij viti, ishte i dënuar nëntë muaj burg nga një trup gjykues i Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, aso kohe. Kurti nuk e kishte mbajtur dënimin, meqë i kishte mbajtur 10 muaj paraburgim, para së të shpallej vendimi.

Kurti, ishte dënuar me nëntë muaj burgim për vepër penale “pjesëmarrje në një grup që pengon personat zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Kryetari i VV-së, ishte i dënuari i vetëm për demonstratën e 10 shkurtit të vitit 2007 në të cilën u vranë dy demonstrues e u plagosën mbi 80 të tjerë.

“Mos të harrojmë që i gjithë ky proces ka qenë i udhëhequr nga prokuroria speciale e EULEX-it e cila përndryshe do të duhej të merrej me krimet e luftës, me terrorizmin me korrupsionin e nivelit të lartë, me kontrabandën e kështu me radhë”, kishte thënë Kurti.

Në një seancë para se të merrej vendimi për Kurtin, kishin dëshmuar tre dëshmitarë, Ismet Hajdini, Kristë Gjokaj e Besart Ahmeti, policë të cilët janë paraqitur në seancën gjyqësore në cilësin e palës së dëmtuar.

Atë kohë, policët kishi folur për ngjarjen e 10 shkurt 2007, duke treguar se si një turmë njerëzish kishin hequr barrikadat e vendosura nga policia duke thyer edhe kordonin e Policisë së Kosovës.

Por, pavarësisht këtij dënimi, Albin Kurti ishte certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të garuar në zgjedhjet e vitit 2010, kur Lëvizja Vetëvendosje, kishte vendosur të garojë për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, pika që ka të bëjë me certifikimin e kandidatëve thotë se asnjë kandidat i dënuar në tri vitet e fundit nuk certifikohet për zgjedhje.

Atë kohë, vet Kurti, kishte thënë se kjo nuk paraqet problem, meqë në “Vetëvendosje” fati individual nuk mund të ndikojë në vendimet madhore.

“Glauk Konjufca e ka shkruar një artikull në të cilin e ka sqaruar se në rast të shpalljes fajtor për vepër penale në bazë të ligjit në Kosovë nuk mund të garosh tri vjet. Nuk e di saktësisht se a përfshihet kjo ashtu por sido që të jetë kjo nuk ndikon asnjëherë në vendimet tona si lëvizje sepse fati individual i asnjë aktivisti nuk mund të ndikojë në vendimet madhore që i merr lëvizja. Pra pavarësisht se kush garon e kush mund të garojë vendimet janë marrë dhe ecim përpara”, kishte thënë Kurti.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim brenda këtij muaji, nëse vota e Etem Arifit ka qenë e kundërligjshme. /Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark