Kryeministri Albin Kurti nisi fjalimin e sotëm duke rikujtuar se si kanë filluar të gjitha tensionet në veri.
“Situata në katër komunat është si rezultat i luftës se ligjit me kriminelët. Pas mbajtjes e zgjedhjeve në komunat në veri, Qeveria e ka përmbushur detyrimin e vetë për t’i, mundësuar kryetarëve punën në zyra. Pas ngjarjeve që kanë ndodhur pas zgjedhjeve përfshirë edhe sulmet Qeveria është përgjigjur me kujdes maksimal. Policia e Kosovës mbron institucionet publike, tha ai.
Kurti duke folur për kidnapimin e tre policëve nga Serbia kërkoi që KFOR-i të regaoj.
“KFOR-i nuk duhet të jetë i heshtur e as i përkulur. Ky kidnapim është bërë si hakmarrje ajo që kemi parë dje është agresion. Hakmarrja duhet të kundërshtohet me forcën e ligjit. Qeveria do të punojë ditë e natë për lirimin e policëve”, tha ai.
Kurti tha se KFOR e ka në përgjegjësi vijën kufitare në këtë rast dhe tha se është në pritje që misioni i NATO-s ta marrë përgjegjësinë.
“Mbrojtja e vijës kufitare është përgjegjësi e përbashkët e KFOR-it dhe e policisë sonë. Në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes së vijës kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it. Prandaj, ne jemi ende në pritje të KFOR-it që ta marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj mbrojtës që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar dhe të ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, sovranitetit tonë”.