Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në pritjen shtetërore për nder të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka thënë se shteti i Kosovës mund të ecë përpara dhe i sigurt vetëm me miq dhe aleatë.
Kurti tha se sikur në ditët e çlirimit, ashtu edhe në shpalljen e pavarësisë e deri më tani në përvjetorin e 16-të të shtetësisë, Kosovës i kanë qëndruar pranë miq dhe aleatë. Ai këtu përmendi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet aleate në Evropë.
“Sikur në ditët e çlirimit, në qershor 1999, ashtu edhe në ditën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, sikurse edhe sot, në ditëlindjen e 16-të të Republikës sonë të pavarur, Kosovës i kanë qëndruar pranë miq dhe aleatë që udhëtuan bashkë me ne dhe krah nesh, si në kohë të vështira, ashtu edhe në momente festive e përkujtimi sikurse sot”, tha Kurti
Ai gjatë fjalimit tha se bashkë kemi ardhur deri këtu dhe do të vazhdojmë tutje për në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Si dikur më 1999, si atëherë më 2008, si sot më 2024, Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj bashkë dhe krahas me miq dhe aleatë amerikanë, që ndonëse nga përtej Atlantikut, janë afër dhe evropianë të kontinentit tonë të përbashkët. Me miq dhe aleatë ne jemi më të fortë dhe më të sigurtë. Bashkë kemi ardhur deri këtu dhe bashkë do të vazhdojmë edhe më tutje për të përparuar për atje ku jemi nisur, në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Vetëm kështu me miq të fortë dhe aleatë, Kosovë ne kështu të dalim zot”, tha Kurti ndër të tjera në fjalimin e tij”, tha kryeministri Kurti.