Kurti kujton Behajdin Allaqin: Kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij, e zhdukën – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti kujton Behajdin Allaqin: Kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij, e zhdukën

    Insajderi
    11 June 2023 - 23:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar aktivistin politik dhe luftëtarin Behajdin Allaqi.

    Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se këtë të diel janë bërë 25 vjet që kur ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behajdin Allaqi u zhduk në rrethana të pasqaruara plotësisht.

    Kurti ka theksuar se që nga atëherë nuk dihet saktësisht çfarë ka ndodhur me të, siç deri sot nuk është gjetur as trupi i tij.

    “U bë një çerekshekulli prej kur është zhdukur Behajdin Allaqi, aktivisti politik dhe luftëtari i lirisë! Teksa shënojmë ditët e çlirimit të qyteteve tona dhe të vetë Kosovës në qershor të vitit 1999, sot janë bërë 25 vite nga dita e 11 qershorit 1998, kur ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behajdin Allaqi u zhduk në rrethana të pasqaruara plotësisht”, ka shkruar Kurti.

    Shok në angazhimin e tij politik me figura të njohura si Afrim Zhitia, Fadil Vata e Ukshin Hoti, Behajdin Allaqi ishte anëtar i organizatës Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës.

    “Si anëtarë i LPRK-së (LPK-së), Behajdini kishte marrë pjesë në mbledhjet dhe proceset e rëndësishme që themeluan dhe i dhanë formë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Për shkak të aktivitetit të tij patriotik, Behajdini u arrestua më 1 gusht 1993 nga autoritetet jugosllave dhe pas një procesi gjyqësor, më 11 nëntor, bashkë me katër shokë u dënua nga Gjykata e Qarkut në Prizren, me dy vjet e tre muaj burgosje, të cilat i vuajti në burgun e Dubravës.

    I diplomuar për filozofi dhe sociologji në Universitetin e Prishtinës, Behajdin Allaqi e vazhdoi punën e tij si profesor në gjimnazin e Prizrenit deri më 1998, kur ky themelues i UÇK-së edhe e veshi uniformën e kësaj ushtrie popullore.

    “Në një periudhë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në ngritje dhe strukturim e sipër dhe kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij prej aktivisti me mendim të mirëformuar politik dhe prej luftëtari idealist e patriotik, Behajdin Allaqin e zhdukën duke e lënë përherë në mbërje jetën e tij prej çlirimtari”.

    “Në kujtim të veprës së lavdishme të heroit të lirisë së Kosovës, Behajdin Allaqit”, përfundoi kreu i ekzekutivit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark