Kurti lejon që statuti i Zajednicës të shkruhet nga bashkëpartiakja e Vuçiqit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti lejon që statuti i Zajednicës të shkruhet nga bashkëpartiakja e Vuçiqit

    Insajderi
    06 April 2023 - 12:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, i cili ka në kompetenca edhe dialogun Kosovë-Serbi, ka zbuluar mbrëmë disa detaje për grupin menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Ai tha se draftin fillestar për Asociacionin do ta hartojnë katër serbë, ndërsa kryesuese e Ekipit të Menaxhmentit do të jetë Danijela Vujiçiq.

    “Janë katër persona, janë serbë. Po s’i kom tash këtu emrat. Danijela Vujiçiqi është kryesuese. Dy prej tyre janë prej vitit 2013, dy kanë pësu vazhdimisht ndryshime”, tha Bislimi në RTV Dukagjini, transmeton Gazeta Insajderi.

    Por, kush është Danijela Vujiçiq?

    Danijela Vujiçiq është anëtare e Partisë Përpraimtare Serbe, parti kjo që udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq.

    Për momentin ajo përfaqëson interesat e partisë së Vuçiqit në Parlamentin e Serbisë.

    Për historinë e saj nuk ka folur as zëvendësministri Bislimi dhe as shefi i tij Abin Kurti, pos që dihet se ky i fundit do të lejojë që dokumenti në bazë të të cilit do të hartohet statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do shkruhet nga bashkëpartiakja e Vuçiqit, shkruan Gazeta Insajderi.  

    “Janë pesë siguresa që tregojnë se ky lloj vetëmenaxhimi nuk është Zajednicë”

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka një pajtim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere përmes të cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti i statutit që propozohet nga ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Bislimi përmendi gjithashtu edhe tri kriteret tjera.

    “Në ç’masë është [drafti i statutin] në harmoni në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 [për Asociacionin]”. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 [për Asociacionin]. Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini, i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, tha ai, shkruan Gazeta Insajderi.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se këto “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj i vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica [Asociacioni]”.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Por, kjo gjykatë ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

    Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

    Marrëveshja parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit./Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark