Kryeministri, Albin Kurti sot mori pjesë në mbledhjen me nënkryetarët dhe zyrtarët komunalë për komunitetet, me temë qendrore diskutimi “Parandalimi i martesave të hershme”.
Kurti theksoi se qëllimi i përbashkët i të gjithë akterëve të pranishëm, është parandalimi i martesave të hershme. Kjo dukuri, që i prek sidomos vajzat, siç tha kryeministri, pasohet me humbjen e mundësive të tyre në arsim, për fëmijët e tyre eventualë dhe kësisoj për familje të tëra.
“Është fenomen përgjithësisht i fshehur, mirëpo shifrat e UNICEF-it me Agjencinë e Statistikave, prej vitit 2020 na tregojnë që në grup moshën 20 deri në 24 vjeç, 31% të grave e vajzave rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë të martuara nën moshën 18 vjeçare. Kjo nënkupton se qindra vajza, çdo vit, që kanë të drejtat dhe mundësitë e tyre për të ardhmen e tyre janë të dëmtuara rëndë”, shpjegoi tutje ai.
Në anën tjetër, kryeministri përmendi faktin se, pavarësisht që ka lagje të caktuara ku çdo e treta vajzë martohet e re – si fëmijë, ky nuk është një problem në masë të njëjtë në çdo rajon të Kosovës.
“Ka komuna ku vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian më shumë janë bërë shembuj për vijueshmërinë në shkollat e mesme dhe në fakultete, në aktivizimin edhe në aktivitete të ndryshme kulturore, shoqërore, publike”, shtoi ai, duke shprehur mirënjohje edhe për aktiviste të komuniteteve që angazhohen për luftimin e dukurisë së martesave të hershme.