Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook të hënën për takimin që kishte me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, ku është mbajtur një mbledhje e dy qeverive që rezultoi me disa marrëveshje.
Kurti ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje.
Madje, Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë miq dhe partnerë, siç thotë Kurti të lidhur edhe përmes lidhjeve familjare.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë, të lidhur jo vetëm përmes tregtisë, që është çdoherë në rritje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë. Në mbledhjen e dytë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, marrëveshjeve të deritanishme ia shtuam edhe një protokoll dhe dy memorandume që lehtësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe shtojnë bashkëpunimin në energji dhe arsim”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Palët kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e energjisë, atë të arsimit, dhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë.