Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj të cilit Gjykata Themelore e Prishtinës lëshoi urdhëarrest pasi që nuk kishte shkuar në gjykatë për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës, gjendet në Austri.
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një fotografi ku shihet Kurti në një takim me zyrtarë të socialdemokratiëve austriakë.
“Në këtë takim deputetët Kurti e Salihu paraqitën qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s mbi situatën në Kosovë dhe rajon si dhe për idetë për daljen nga kriza. Në veçanti u shpalosën elemente të kritikës dhe programit të VETËVENDOSJE!-s mbi çështjet socio-ekonomike. U diskutua edhe për rolin dhe sfidat e mërgatës shqiptare si dhe ato të integrimit evropian”, ka njoftuar VV përmes një komunikate.
“Në fund të këtij takimi shumë të përzemërt të dyja palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Vizita e deputetëve Kurti e Salihu vazhdon me takime të tjera zyrtare dhe me tubime me bashkatdhetarë në Vjenë, Grac dhe Linc”, ka njoftuar VV.
Në anën tjetër, lideri i VV-së, Visar Ymeri, ka thënë se urdhëarresti ndaj deputetit Kurti është i padrejtë dhe si i tillë duhet të anulohet.
Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka thënë se gjyqësia në Kosovë është e varur nga pushteti politik, që sipas tij, “po na shndërron në vend qesharak”.
“Po bëhemi gaz i botës,” ka shkruar ai.
“Edhe pse aferat korruptive mes politikanëve, biznesmenëve e kriminelëve kanë dalë sheshit, me publikimin e dosjes “Pronto”, në vend se të lëshohet urdhër-arresti për ta, lëshohet për ata që i denoncojnë këto afera korruptive e që proteston kundër tyre. Në këtë rast për Albin Kurtin”, ka shkruar Ymeri./Insajderi.com