
Mëngjesin e sotëm, nga Zyra për Informim e Kryeministrisë u tha se në mbrëmje, shefi i qeverisë do ta presë në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Takimi u tha se do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë me fillim nga ora 21:30.
“Mediat mund të marrin pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë”, u tha në njoftimin e paradites.
Ndërsa mediat kishin bërë planet për ta mbuluar këtë ngjarje, nga po e njëjta zyrë erdhi një njoftim i ri, në orën 19:27.
Aty u tha se takimi mes Kurtit dhe Sarrazinit veçse kishte përfunduar.
“Të nderuar përfaqësues të mediave, ju njoftojmë se për shkak të ndryshimeve në agjendë, takimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i paralajmëruar të mbahej sonte në orën 21:30, tashmë është mbajtur dhe ka përfunduar në orët e para të mbrëmjes”, u tha në njoftimin e ZKM-së, duke mos u thelluar më shumë dhe duke mos kërkuar falje për këtë çështje.