Kryeministri Albin Kurti pas takimit me kryesindikalistët ka dalë në konferencë për media bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin dhe ministrin e Financave, Hekuran Muratin.
Fjalimin e ka nisur duke treguar se janë mbajtur mbi 20 takime, pa të, dhe menjëherë ka nisur të flasë për ato çfarë ka bërë qeveria.
Ka treguar se buxheti për arsimin është rritur për 12%, se ka shtuar bursat dhe numrin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, por nuk e ka thënë asnjë fjalë për atë se çfarë biseduan me Bashkimin e Sindikatave të Kosovës.
Apo edhe deri ku shkoi dialogimi mes tyre, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndryshe, ka përfunduar pa asnjë përafrim takimi ndërmjet Bashkimit të Sindikatave të Kosovës me Qeverinë, që nisi sot në orët e hershme të mëngjesit.
Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj menjëherë pas takimin me kryeministrin Albin Kurti ka njoftuar se s’ka asnjë ndryshim nga pozicionet e grevistëve dhe qeverisë.
“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur mes këshillit grevist dhe kryeministrit Kurti e ministrave Murati e Nagavci. Takimi ishte i gjatë, ne si këshill grevist ia rikujtuam kërkesat tona legjitime që i di opinioni, ata na treguan për angazhimet që kanë bërë. Takimi ishte përmbajtjesor ,por asgjë nuk kemi ndryshe. Qeveria qëndron në pakon e prezantuar”, tha Jasharaj, transmeton Gazeta Insajderi./Gazeta Insajderi/